Vendosni fjalën kyçe....

Shkon në 76 numri i të prekurve nga koronavirusi në Itali, merren masa të jashtëzakonshme


Rriten rastet me koronavirus në Itali. 76 persona kanë rezultuar pozitivë pas testeve për koronavirus: 54 prej tyre janë në Lombardi, 17 në Veneto, 2 në Emilia Romagna, 2 në Lazio dhe një në Piemonte.

Dy personat që kanë humbur jetën janë një në Veneto dhe një tjetër në Lombardi. “Tg24” shkruan se vazhdojnë ende testimet për personat që kanë pasur kontakte me të infektuarit.

Qeveria italiane ka marrë masa të jashtëzakonshme.  Qeveria ka miratuar një dekret për të ndaluar hyrjen dhe daljen nga zonat e shpërthimit të virusit. Dhe më pas janë ndaluar udhëtimet në Itali dhe jashtë saj si dhe eventet sportive në Lombardi dhe Veneto. Po ashtu janë shtyrë dhe tre ndeshje në Serie A.

Kryeministri Giuseppe Conte, siç citon Il Messaggero, shpjegoi se ai kishte miratuar “një dekret me masa për kontrollimin dhe menaxhimin e urgjencës epidemiologjike. Qëllimi është të mbrojmë të mirën e shëndetit italian. Në zonat e shpërthimit hyrja dhe dalja nuk do të lejohen, përveç përjashtimeve specifike që do të vlerësohen herë pas here. Në ato zona tashmë është urdhëruar pezullimi i punës dhe i eventeve”.

Po ashtu janë mbyllur shkollat, dyqanet dhe muzetë, janë ndaluar konkurset, aktivitetet e punës private dhe zyrat publike, pa cenuar shërbimet thelbësore, është kufizuar lëvizja e mallrave dhe e njerëzve. Universitetet në Lombardi, Veneto dhe Ferrara janë mbyllur.

“Ne kemi miratuar një dekret për të mbrojtur shëndetin e italianëve, që është ai për të cilin ne më shumë interesohemi dhe që renditet i pari në hierarkinë e vlerave kushtetuese”, thotë kryeministri Giuseppe Conte.

Ai u kërkon italianëve që “t’i besojnë” politikës dhe institucioneve shkencore, të cilat po bëjnë gjithçka që është e mundur.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *