Prokurori i përgjithshëm i shtetit amerikan të New Mexico-s po hedh në gjyq kompaninë Google, të cilën e akuzon për mbledhjen e paligjshme të të dhënave personale të fëmijëve në shkolla.
Gjigandi i teknologjisë dyshohet se ka mbledhur të dhëna për uebfaqet të cilat kanë vizituar nxënësit, fjalëkalimet e tyre, videot që kanë ndjekur, listat e kontakteve dhe informacione të tjera.
BBC shkruan se të dhënat dyshohet se janë mbledhur nga laptopët “Chromebook” të Google-it dhe programi “G Suite për Edukim”.
Kompania e ka kundërshtuar akuzën, duke e cilësuar si “të gabuar”. Në padi thuhet se Google Chromebook dhe G Suite për Edukim, ku përfshihet Gmail-i, Kalendari dhe shërbime të tjera, u ofrohen falas për më shumë se 60% të studentëve në New Mexico.
Prokurori Hector Balderas thotë se Google nuk ka marrë pëlqimin e prindërve për fëmijët nën 13 vjeç dhe ka mbledhur të dhënat e tyre për qëllime tregtare, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Intimitetit të Fëmijëve në Internet.
“Siguria e studentëve duhet të jetë përparësia numër një e çdo kompanie që ofron shërbime për fëmijët tanë, veçanërisht në shkolla”– tha Balderas në një deklaratë. “Mbledhja e të dhënave të studentëve pa pëlqimin e prindërve nuk është vetëm e paligjshme, por është e rrezikshme”.
Në padi thuhet se më shumë se 80 milion mësues dhe nxënës në SHBA përdorin platformën dhe mjetet e arsimit të Google.