Vendosni fjalën kyçe....

Turqia mbyll kufirin me Iranin për shkak të koronavirusit


Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, bëri të ditur se Turqia ka mbyllur përkohësisht pikat kufitare me Iranin për shkak të epidemisë së koronavirusit (Covid-19).

Në një konferencë për media në spitalin Kartal Dr. Lütfi Kırdar në Stamboll, ministri Koca ka folur rreth masave që Turqia do të marrë kundër rasteve të koronavirusit dhe lidhur me situatën e fundit për tërmetin me epiqendër në Iran i cili goditi edhe qytetin Van, raporton Anadolu Agency.

Ai tha se deri më sot në Iran është rritur në 43 numri i të prekurve nga koronavirusi ndërsa numri i të vdekurve ka arritur në 8. “Me Iranin kemi 3 pika kufitare, plus edhe një shtesë që është hapur në rajonin autonom Nakhchivan. Në kuadër të vendimeve rekomanduese të propozuara nga bordi ynë shkencor i ministrisë, lindi nevoja për masa shtesë për uljen e lëvizjeve kufitare. Vendosëm të mbyllim përkohësisht pikat kufitare me fqinjin tonë për shkak të situatës në rritje të rasteve në Iran”, tha Koca.

“Në kuadër të rregullave ndërkombëtare, duke nisur nga sot në orën 17:00 ndalohen përkohësisht kalimet tokësore dhe hekurudhore nga Irani drejt vendit tonë. Ndërsa duke nisur që nga ora 20:00 do të ndalohen njëanshëm dhe përkohësisht të gjitha fluturimet ndërkombëtare. Pra, janë ndaluar fluturimet nga Irani drejt Turqisë. Ndërkohë që kalimet nga Turqia drejt Iranit vazhdojnë”, njoftoi ministri turk Koca.

Koca theksoi se për të parandaluar hyrjet e virusit në Turqi janë marrë masat më herët dhe shumë më tepër se nga masat që ka propozuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Sistemi ynë shëndetësor është i fuqishëm sa të përballojë epidemi të tilla. Janë përcaktuar të gjitha masat që do të zbatohen nëse do të ketë përcaktime të rasteve. Janë depozituar mjaftueshëm produkte medikale dhe ilaçe antivirale që mund të jenë të nevojshme dhe po ashtu janë solide edhe zinxhirët tanë të furnizimit. Dëshiroj të shpreh se në këtë pikë nuk ka ndonjë situatë për t’u shqetësuar”, shtoi Koca.

Lidhur me tërmetin 5.9 ballë me epiqendër Iranin i cili shkaktoi dëme dhe shembje në rajonin Başkale të qytetit Van, Koca tha se “Që nga momentet e para pas tërmetit, në rajon janë dërguar 25 ambulanca, 1 helikopter ambulancë dhe 13 ekipe të UMKE. Në tërmetin e ndodhur në orët e para të mëngjesit fatkeqësisht kanë humbur jetën 9 nga qytetarët tanë ndërsa janë plagosur 50 të tjerë”.

Ministri turk i Shëndetësisë, Koca tha se personat e plagosur janë nën trajtim në tre spitalet në rajon, prej të cilëve dy janë në kujdes intensiv dhe në gjendje të rëndë shëndetësore.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *