Vendosni fjalën kyçe....

Luan Rama: SPAK-u të veprojë menjëherë ndaj grupit të puçit kushtetues, më 2 mars në mbrojtje të Kushtetutës


Zv.kryetari i LSI-së, Rama, i ka bërë thirrje SPAK-ut,  që të ndërhyjë menjëherë për të ndaluar ata që i quan keqbërës dhe pjesë të grupit të puçit kushtetues.

Në një dalje për mediat, Rama tha se provat e paraqitura vijueshmërisht nga presidenti Meta, janë dëshmia më e qartë e antikushtetueshmërisë me të cilën vepron grupi në qeveri që dhunon Kushtetutën.

‘Denoncimi i vazhdueshëm i shkeljeve sistematike dhe të njëpasnjëshme në bashkëpunim i përfaqësuesve të niveleve të ndryshme të qeverisë, në përpjekje për të marrë në mënyrë antikushtetuese kompetencat e intitucioneve dhe autoriteteve të tjera kushtetuese, siç është në rastin konkret përpjekja për të marrë me dhunë dhe në kundërshtim me Kushtetutën kompetencat e Presidentit të Republikës, është dëshmia më e qartë dhe shfaqja më alarmante e antikushtetutshmërisë dhe e panikut në të cilën vepron grupi i strukturuar i keqbërësve në qeveri në dhunim të Kushtetutës. Në këto kushte, jo për të bërë presion, po për të bërë apel që organet e zbatimit të ligjit, dhe në mënyrë të veçantë, organet e SPAK-ut, duhet të ndërhyjnë menjëherë sipas urdhëresave që burojnë nga Kodi i Procedurës Penale, për të ndaluar veprimin e mëtejshëm të keqbërësve kudo që ata gjenden, në KED apo në MD, pra në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi apo në Ministrinë e Drejtësisë, në Kuvend apo në qeveri, në mënyrë që duke vepruar me forcën e ligjit, të parandalohet thellimi i mëtejshëm i të gjithë funksionarëve të këtyre institucioneve në shkelje të ligjit.’ – tha Rama.

Ai shtoi se duhej zbardhur sa më shpejt e vërteta e puçit kushtetues ndërsa ftoi qytetarët që të respektojnë, nderojnë e mbrojnë Kushtetutën, përballë çetës së horrave e falsifikatorëve, që duan të kapin Gjykatën Kushtetuese.

‘Ndërkaq, nga an tjetër, duhet të zbardhet e vërteta e puçit kushtetues, në përpjekje për të rrëzuar Republikën. Në këtë kontekst, veprimi i menjëhershëm i SPAK-ut, është imperativë për të vendosur autoritetin e ligjit pikë së pari; për të ndërshkuar keqbërësit pikë së dyti; dhe ajo çfarë është e rëndësishme, për të treguar integritet dhe paanësi në zbatimin e ligjit, ç’ka do të bënte që SPAK-u te jepte përmes shembullit konkret, mesazhin e parë tek qytetarët shqiptar të cilët mund dhe duhet të kenë besim tek reforma në drejtësi dhe tek institucionet e reja të qeverisjes së drejtësisë. Por ndërkaq, çdo përpjekje për të krijuar alibi apo çdo alibi për t’u fshehur pas coronavirusit apo pas krimovirusit të qeverisë, është në thelb shërbim për antikushtetuetshmërinë, është shërbim ndaj atyre që kanë shkelur kushtetutën. Prandaj, data 2 mars është data që ndan shqiptarët që duan Shqipërinë, shqiptarët që duan atdheun, shqiptarët që respektojnë dhe nderojnë Kushtetutën, përballë çetës së horrave dhe fallsifikatorëve, që duke shkelur ligjin mendojnë të kapin edhe Gjykatën Kushtetuese, për t’ia kundërvënë pastaj këtë institucion për interesat e tyre kriminale, interesave europiane të vendit.

Data 2 mars është datë apel për të gjithë qytetarët shqiptarë për të qenë të gjithë bashkë, në anën e Republikës, për të qenë bashkë në anën e Kushtetutës.’ – mbylli Rama.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *