Informacionet më të fundit nga Italia sugjerojnë që numri i të infektuarve nga koronavirusi ka shkuar mbi 200. Sot u shënua dhe viktima e katërt, i cili ishte një 84 vjeçar nga Bergamo.
Rai News shkruan se kjo shifër e çon Italinë në vendin e tretë në renditjen e vendeve më të prekura nga koronavirusi në botë, pas Koresë së Jugut dhe Kinës.
Rasti i Italisë tani alarmon të gjithë Europën dhe veçanërisht vendet fqinje, me Francën, Zvicrën dhe Austrinë që nuk kanë përjashtuar marrjen e masave nëse situata përkeqësohet.
Sipas Rai-t, aktualisht janë regjistruar 167 raste me koronavirus në Lombardi, 27 në Veneto, 16 në Emilia-Romagna, 3 në Piemonte, 3 në Tirolin e Jugut dhe 2 në Lazio.
Ndërkohë thuhet se mund të ketë një pikë kthese në identifikimin e ‘pacientit zero’ të mundshëm që përhapi koronavirusin fillimisht në Vo’ Euganeo.
Sipas mediave italiane, një fermer 60-vjeçar nga një qytet aty afër, Albettone ishte një vizitor i shpeshtë në baret e Vo ‘ Euganeo. Ai kishte qenë në Codogno dhe qendra të tjera në zonën e Lodi-t javët e fundit, dhe tani ka simptoma të kollës dhe gripit.
“Ansa” e mësoi këtë nga kryetari i komunës, Giuliano Martini.
“Ne kemi njoftuar autoritetin lokal shëndetësor dhe kryetarin e komunës Albettone, tani 118 po e merr atë në karantinë.” – tha Martini.
Shefi i Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli tha se përgjigja e Italisë ishte e shpejtë për rastet e reja të epidemisë.