Shënohet viktima e katërt nga koronavirusi në Itali. Mediat e shtetit fqinj raportojnë se viktima është një 84-vjeçar, i cili ishte i shtruar në një spital në Bergamo.
Deri më tani numërohen 112 të infektuar në Lombardi, ndërsa në të gjithë vendin numri e ka kaluar 150.
25 të infektuar janë në Veneto, 9 në Emilia Romagna dhe 3 në Piemonte. Këtyre u shtohen dy turistët kinezë të shtruar në Spalanzani për javë të tëra.
Il Fato Quatidiano shkruan se sot është dita e parë e shkollave të mbyllura në Lombardi, Veneto, Piemonte, Emilia Romagna, Friuli dhe Liguria.
Në Italinë veriore janë mbyllur gjithashtu dyqanet, muzetë, aktivitetet e prodhimit dhe zyrat publike, në një përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit.
Gjithashtu janë mbyllur edhe Katedralja e Milanos dhe Bazilika e San Marco-s. Të gjitha ngjarjet publike dhe ngjarjet kulturore, rekreative, sportive dhe fetare janë anuluar, përfshirë Karnavalet në Venecia dhe Ivrea.
Metroja e Milanos, e cila zakonisht është e mbushur me njerëz, këtë mëngjes në orën 7 ishte praktikisht bosh, me pak njerëz të cilët mbanin maska ose shalle para fytyrave të tyre.
Me mbi 150 të infektuar në vend, Italia është kthyer në një nga frontet kryesore në luftën kundër koronavirusit jashtë Kinës. Mbetet pas vetëm Koresë së Jugut (me 602 raste), dhe ka kaluar Japoninë (ku ka 135 raste).