Hans-Joachim Falenski, këshilltar për Politikën e Jashtme në CDU-CSU-në gjermane, deklaroi gjatë një ceremonie në Presidencë ku u dekorua nga kreu i shtetit, Ilir Meta me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” se Gjermania veçon vendosjen e dy parakushteve për plotësimin para zhvillimit të mbledhjes nga krerët e vendeve të BE-së për çështjen e negociatave.
“Ju e dini që ne po vendosim dy parakushte që duhet të përmbushen para se të zhvillohet Konferenca e parë Ndërqeveritare.
E para është: Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë duhet të jenë në gjendje të kryejnë funksionet e tyre përkatëse duke siguruar një numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve të cilët e kanë kaluar vetingun”-deklaroi ai.
“Dhe kjo përfshin jo vetëm procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun, por edhe procesin e marrjes së vendimeve ose – për shembull – ceremoninë për t’i bërë gjyqtarët të betohen mbi Kushtetutën”, thekson ai.
Më tej, Falenski shtron pyetjen:“Nëse nenet përkatëse të Kushtetutës nuk respektohen plotësisht në këtë moment të rëndësishëm të një fillimi të ri, si mund të besojmë se puna e ardhshme e Gjykatës Kushtetuese do të kryhet në përputhje të plotë me Kushtetutën?”
Ai shtoi se përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë është i rrezikshëm për Gjermaninë. “Një vend kandidat ka nevojë për një sistem demokratik me kontrolle dhe ekuilibra funksionues. Të gjitha pushtetet në një dorë të vetme, në shumicën e rasteve, janë të rrezikshme për demokracinë dhe nuk ju afrojnë aspak më pranë Evropës. Për këtë arsye është urgjentisht e nevojshme të krijoni një sistem funksionues të kontrolleve dhe ekuilibrave këtu në vendin tuaj”, thotë ai.
Ai veçoi edhe lirinë e medias si shqetësim për Gjermaninë, duke përmendur paketën antishpifje, e cila aktualisht ndodhet për shqyrtim në Komisionin e Venecias.
Ai përmend edhe një nga kushtet prej 9 pikash të Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave, siç është kushti lidhur me blerjen e votave
“Për Bundestag-un blerja e votave është rasti më i keq në një demokraci. Për këtë arsye Bundestag-u ka ndjekur me përparësi ecurinë e dosjeve 184 dhe 339, por gjithashtu edhe me shqetësim deri këto ditët e fundit”, thotë ai.