Vendosni fjalën kyçe....

Naftëtarët e Ballshit: Kaloni tre paga, pastaj ulemi negociojmë


Situata në Ballsh duket më e agravuar pasi gjendja shëndetësore e naftëtarëve është përkeqësuar. Një prej grevistëve, Pirro Hoxhara është detyruar sot që të lëjë grevën dhe të dërgohet në spitalin e Ballshit për shkak të problemeve shëndetësore.

Naftëtarët e Ballshit shprehen se nuk do të tërhiqen nga greva e urisë deri sa kompania të shlyejë të paktën tre paga, nga rrogat e prapambetura. Më pas, ata do të pranojnë të negociojnë për pagat e tjera.

“Ne ditën e djeshme kemi pasur telefonata për t’i dhënë zgjidhje situatës. Por duke qenë se ditën e djeshme ne përcollëm në banesën e fundit kolegun tonë, situata është shumë e agravuar, gjendja e naftëtarëve është shumë e acaruar. Ne nuk kërkojmë lëmoshë, është ajo që duhet të ishte në bazë të detyrimeve nga pala shtet. Të dyja palët duhet t`i japin zgjidhje sa më parë këtij problemi. Nuk kemi kërkuar gjë tjetër.

Sot na është premtuar një pagë. Ne u bëjmë thirrje atyre lartë, nuk kemi nevojë për një pagë. Atë pagën do ta kenë atje në bankomat. Nuk e tërheqim atë pagë nje. Është marrë vendimi nga të gjithë naftëtarët, muajin janar dhe shkurt nuk e negociojmë më ne, kemi kërkuar tetorin, nëntorin dhe dhjetorin. Nuk e kuptoj çfarë lëmoshe duhet të kërkojmë ne, pastaj të ulemi për ecurinë e rafinerisë.

Ajo pagë nuk tërhiqet. I pari që nuk e tërheq atë jam unë. Nuk kam nevojë unë për 200 mijë lekë lëmoshë, një specialist i mirëfilltë në naftë si gjithë kolegët e mi, tani të na joshin me një pagë që për mua jo vetëm është qesharake por është detyrim nga ata që ta japim. Po e theksoj edhe njëherë, gjendja e naftëtarëve është e acaruar. Po të shkojmë dhe të shohim familjet tona, nuk ka fjalë të flasësh më.

Unë mendoja se mesazhi është i qartë, në rast se ne nuk duam ta politizojmë jetën e kolegut tonë, stresi është pasojë e gjithë asaj që ka ndodhur. Sepse të gjithë punonjësit kanë halle dhe probleme, gjë e cila pasqyrohet te familjet tona. Ka shumë familje naftëtarësh pa drita. Si nuk reagojnë këta lart se fëmija nuk e sheh dot të atin në grevë në televizor, sepse nuk kanë drita.

Ka familje të tëra që janë me borxhe me kredi, që kanë fëmijët në shkollë të lartë. Janë detyrimet për t’u derdhur. Nuk bëhet fjalë për mbijetesë për bukë, por për këto detyrime. Të mos na ndërpriten dritat të paktën. Ne nuk ulemi në negociata, nuk do ketë hapje telefoni deri në momentin që kalojnë tre pagat. Janë minimi i detyrueshëm nga ata për t’u derdhur. Pastaj ne do ulemi me të tjera palët. Kemi kërkuar garanci nga shteti. Shteti është rregullator, ka detyrim për këta njerëz dhe ka detyrim të vijë këtu të ulet me ne.”- tha Sokol Dautaj, përfaqësues i naftëtarëve në Fier. 

Ndërkohë në Poçem vijon protesta e punonjësve të ujësjellësit. Ata kanë hyrë në ditën e 13 të grevës së tyre, teksa dy nga grevistët janë larguar me forcë nga mjekët për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

“Dje unë kam folur dhe me punëtorët e Poçemit, nuk kishin sinjalizim për marrjen e një page.Nuk e di se si do operojnë, kanë marrë një ofertë nga instancat më të larta që në datën 1 mars, një pjese i ofrohet të kalojnë me OSHE-në, por objekti i ngelet rafinerisë tonë. Ne solidarizohemi me ta dhe vendimi është i tyre.”- përfundoi Dautaj.

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *