Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje në ishujt Kios dhe Lesvos për kampet e refugjatëve, kryebashkiaku dhe prifti bëhen për spital (FOTO/VIDEO)


Në orët e para të mëngjesit të sotëm janë shënuar përplasje mes grekëve rezidentë në ishujt Kios dhe Lesvos, gjatë një proteste për të kundërshtuar planin për kampe të tjera për refugjatët që vijnë nga Lindja e Mesme.

Sipas gazetës Protothema, tensionet midis banorëve të ishujve të Chios dhe Lesvos dhe qeverisë janë të larta, pasi komunitetet lokale në të dy ishujt po zhvillojnë protesta dinamike kundër planeve të qeverisë për ndërtimin e qendrave të mbyllura të refugjatëve.

Makineri si buldozerë, ekskavatorë, kamionë, si dhe një automjet vinçi i rëndë i Forcave të Armatosura zbarkuan në agim për të filluar punën për ndërtimin e strukturave të mbyllura në zonë.

Duke kundërshtuar vendimet e qeverisë, banorët u përgjigjën duke përdorur barrikada dhe blloqe me trungje pemësh për të ndaluar fillimin e punimeve.

Në të dy portet e dy ishujve, ka patur përleshje midis forcave të policisë dhe vendasve. Policisë greke i është dashur që të përdorë gaz lotsjellës për të shpërndarë 500 banorët e irrituar.

Rrugët që çojnë në zonën ku pritet të ndërtohet struktura e re e refugjatëve dhe migrantëve në Lesvos janë mbyllur nga grupet e banorëve të cilët kanë përdorur kamionë të rëndë dhe makineri, duke lejuar hyrje vetëm për fermerët vendas.

Gjatë përplasjes madje pati dhe lëndime ku kryebashkiaku i Kiosit Stamatis Karmantzis dhe prifti dhe presidenti i Asamblesë të Klerit të Kiosit u dërguan në spital.

Në mëngjes, studentët okupuan shkollën e mesme dhe shkollën e mesme të Madamado, duke protestuar kundër ndërtimit të strukturës së re.

Banorët grekë të dy ishujve janë kundër politikës greke të Athinës për emigrantët pasi këto dy ishuj janë bërë baza të emigrantëve duke u mbipopulluar nga ta.

Greqia ka  momentalisht një kamp refugjatësh në Lesvos i cili është projektuar për 3 mijë veta, por deri tani numri i të akomoduarve aty ka shkuar në 18 mijë. Për këtë arsye qeveria greke ka planifikuar të bëjë kampe të tjera në ishujt Lesvos, Kios, Samos, Kos dhe Leros. Pavarësisht protestave, qeveria greke duket e vendosur për të ecur përpara me planet e saj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *