Policia e Tiranës ka vënë në pranga tre persona, nën akuzën se vidhnin kasafortat e bizneseve në kryeqytet dhe në disa qarqe të tjera.
Gjatë një aksioni të zhvilluar gjatë natës së kaluar, policia thotë se i ka kapur mat grabitësit teksa ishin futur në një Poliklinikë te Rruga e Kavajës.
Ata kishin marrë brenda kasafortës së Poliklinikës 13 milionë lekë. Grupi akuzohet edhe për vjedhje të tjetra të kasafortave të bizneseve në qytete të dryshme.
Detajet e policisë:
Finalizohet operacioni policor “Poliklinika”, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e vjedhjes së kasafortave në biznese.
Operacioni, nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Zbardhet brenda pak orëve vjedhja e kasafortës me një shumë parash, në një poliklinikë.
Zbardhet dhe vjedhja e ndodhur një muaj më parë në një klinikë mjekësore.
Vihen në pranga 3 persona të dyshuar për një sërë vjedhjesh të tjera të kasafortave në biznese, në disa qarqe.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, nga ana e strukturave për hetimin e krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke u përdorur metodat speciale të hetimit u bë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 24 shkurt, ku u vodh një kasafortë me një shumë parash, në një poliklinikë.
Mbi bazën e provave të siguruara, u organizua, zhvillua dhe finalizua operacioni policor “Poliklinika”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda”, kryer në bashkëpunim, i shtetasve:
- M., 33 vjeç, F. Sh. alias F. L., 37 vjeç dhe E. Ç. alias E. H., 38 vjeç, banues në Tiranë (F. L. dhe E. Ç., me precedent penal në fushën e vjedhjes dhe vjedhjes me armë).
Arrestimi i tyre u bë pasi, po sot rreth orës 04:05 të mëngjesit, në vendin e quajtur Rruga e Kavajës, në ambientet e Poliklinikës “Zonja e Këshillit të Mirë”, Tiranë, në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë, kanë vjedhur një kasafortë në të cilin ndodhej vlera monetare rreth 13 milion lekë të vjetra.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet si më poshtë:
-Një automjet Mercedes Benz, me të cilin qarkullonin për të kryer vjedhjet, 1 DVR, një shumë parash, 1 kasafortë dhe 4 telefona celular.
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen si autorë të vjedhjes së një klinike mjekësore në Rrugën e Dibrës, ngjarje e datës 20.01.2020, ku gjatë orëve të para të mëngjesit kanë vjedhur një shumë prej 413 000 lekësh dhe kanë tentuar të vjedhin edhe kasafortën e kësaj klinike.
Gjithashtu, këta shtetas dyshohen se kanë kryer një sërë vjedhjesh të kasafortave në biznese, në qytetin e Tiranës dhe në qarqe të tjera.
Vijon puna, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë në qarqe, për dokumentimin me prova ligjore të rasteve të dyshuara se janë kryer nga ky grup kriminal.
Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autoreve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.