Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi: Qeveria të mos harxhojë lekë për koncesionarët, t’i përdorë për t’u përgatitur ndaj koronavirusit (Video)


Demokratja Albana Vokshi ka qenë sot në Qendrën Shëndetësore të Kamzës për të monitoruar masat e marra lidhur me koronavirusin.

Në videon e pulikuar në Facebook, Vokshi thotë se Shqipëria është në rrezik potencial për t’u prekur nga virusi i rrezikshëm ndërsa shton se ka zgjedhur qendërn shëndetësorë të Kamzës, pasi ajo mbulon një territor të madh.

‘Të gjithë tashmë jemi të ndërgjegjshëm që Shqipëria është në një rrezik potencial për mbërritjen e koronavirusit, pasi shteti fqinj, me të cilin kemi shumë shkëmbime humane, tashmë është në gjendje alarmi, si dhe janë shpallur edhe rastet e para në vende të tjera të rajonit. Kemi zgjedhur, bashkë me doktor Koduzin, Qendrën Shëndetësore Kamëz, pasi është një nga qendrat që mbulon një rajon shumë të madh, me rreth 200 mijë banorë, është një qendër që funksionon 24 orë në ditë pasi ka edhe pjesën e urgjencës në të. Çdo ditë, në një ditë normale situate gripale janë rreth 200 pacientë që mbërrijnë në pjesën e pacientëve të sëmurë kronikë, por edhe ato të urgjencës, që do të thotë që numri i pacientëve, por edhe familjarëve të tyre që mbërrijnë në këtë qendër në ditë është shumë i lartë.’ – thotë Vokshi,

Më tej ish-deputetja thekson se pas shpalljes së grupit të punës prej kreut të PD-së, Basha, është përballur me shumë telefonata që denoncojnë mosmarrjen e masave nga qeveria për pajisjet më elementare për përballimin e virusit.

‘Pas shpalljes të grupit të punës nga ana e kryetarit, z. Basha, kanë ardhur me qindra telefonata, mesazhe tek anëtarët e grupit të punës, por edhe në Partinë Demokratike, si nga qytetarë, ashtu edhe nga mjekë dhe personeli i qendrave shëndetësore, mjekë të Urgjencës Kombëtare dhe të QSUT-së. Shqetësimi i tyre është se nuk është marrë asnjë masë nga qeveria për pajisje dhe me mjete elementare. Ne shkuam dhe biseduam edhe me disa mjekë të kësaj qendre shëndetësore, pamë vetë situatën. Nuk janë pajisur deri tani as me doreza, as me maska të standardeve të OBSH-së, as me dezinfektantë. Praktikisht, mjekët dhe stafi shëndetësor i kësaj qendre shëndetësore, jo vetëm i kësaj qendre por i gjithë qendrave shëndetësore në Shqipëri, stafi mjekësor i gjithë spitaleve në Shqipëri dhe urgjencat, praktikisht, janë në mëshirë të fatit. Qeveria po bën propaganda. Mjeku është kontakti i parë me pacientin, është ai i cili mund ta marrë virusin i pari dhe mund të rrezikojë jo vetëm jetën e tij, por edhe jetën dhe shëndetin e familjarëve të tij dhe të pacientëve, sepse mund të jetë bartës.’ – shton ajo.

Ajo u bën thirrje qytetarëve që të mos përfshihen nga paniku dhe i fton që të marrin masa individuale për higjienën e tyre.

Vokshi thekson gjithashtu se askush nuk ka nevojë për propagandë qeveritare e qeveria të mos harxhojë miliona për oligarkët e saj por lekët t’i përdorë për t’u përgatitur për situatën e krijuar nga koronavirusi.

‘Qytetarët nuk duhet të panikohen. Lajmi i mirë është që ende në Shqipëri nuk ka një njoftim zyrtar, të paktën, për koronavirus. Vetë qytetarët duhet të marrin masa individuale për higjenën e tyre dhe të kontaktojnë stafin shëndetësor. As qytetarët, as mjekët, as personeli shëndetësor nuk kanë nevojë për propagandën qeveritare, nuk kanë nevojë për shoë. Qeveria të mos harxhojë miliona euro për një grup oligarkësh dhe klientësh të saj duke paguar koncesione abuzive korruptive, kriminale, të panevojshme, por këto para t’i përdorë për t’u përgatitur për situatën e krijuar nga coronavirusi. Grupet e Partisë Demokratike do të vazhdojnë të jenë në terren për të monitoruar gjendjen jo vetëm në Tiranë, por dhe në qytete të tjera. PD do të vazhdojë të jetë zëri i mjekëve dhe i personelit shëndetësor, që tani punojnë në kushte të një terrori psikologjik dhe shantazhi nga ana e qeverisë, do të jemi zëri I çdo qytetari që ngre shqetësim për situatën.’ – mbyll deklaratën Vokshi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *