Vendosni fjalën kyçe....

11 viktima dhe 323 të infektuar, qeveria italiane liron nga taksat bashkitë e prekura nga koronavirusi


Numri i viktimave nga koronavirusi në Itali ka shkuar në 11. Ndërkohë numri i përgjithshëm i njerëzve të infektuar në shtetin fqinj ka shkuar në 323.

Rai shkruan se numri i rasteve vetëm në Lombardi është rritur në 240 dhe 43 në Veneto. 2 raste janë regjistruar në Liguria, 3 në Palermo, 1 në Pesaro, 26 në Emilia Romagna, 3 në Piemonte, 3 në Lazio dhe 3 dhe në Siçili. Ka 2 raste pozitive në Toscana, 2 në Liguria dhe 3 raste të dyshuara në Bolzano.

Pas mbylljes së zonave të prekura, qeveria italiane ka marrë masa për efektin që do të sjellë kjo në ekonomi.

Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, tha në një konferencë për shtyp se do të ofrojë deri në 500 euro shtesë për tre muaj, për punonjësit e vetëpunësuar në zonat e kuqe të prekura nga koronavirusi. Ai tha se do të sigurohet një ndihmë deri në 500 euro për tre muaj, dhe për punonjësit socialë.

Ndërkohë ministri i Ekonomisë, Roberto Gualtieri, tha se së shpejti do të ketë edhe masa të tjera mbështetëse, duke përfshirë përjashtimin nga taksat të bizneseve në zonat e prekura.

“Sot kemi mbledhur grupin e punës. Ne po përgatisim masat e nevojshme për të përballuar më mirë implikimet e shumta ekonomike të koronavirusit. Qytetarët, profesionistët, kompanitë nuk duhet të lihen vetëm në këtë moment të vështirësisë, por duhet të mbështeten me angazhimin maksimal. Për këtë arsye ne menjëherë pezulluam taksat në bashkitë e “zonës së kuqe” dhe po punojmë për masa të tjera si pezullimin e pagesave të hipotekave, faturat, pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe për masa më të përgjithshme në mbështetje të sektorëve më të prekur. Tani është koha për përgjegjësi dhe kohezion. Askush nuk duhet të lihet vetëm. “– tha Gualtieri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *