Pas thirrjeve të presidentit të vendit Ilir Meta për të marrë pjesë në një tubim më 2 mars në mbrojtje të Kushtetutës, opozita ka nisur të mobilizohet për t’iu bashkuar tubimit.
Kreu i PD-së Lulzim Basha mësohet se u ka dërguar një mesazh krerëve të degëve të partisë ku konfirmon mbështetjen për protesten dhe u kërkon atyre të organizohen.
“Si qytetarë që duam që vendi të bëjë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë, duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje të Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura. Prandaj unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën”- shkruan Basha në mesazhin dërguar degëve të PD-së ku jep edhe dy porosi.
Porositë e Bashës:
-Së pari mesazhi duhet të shpërndahet tek të gjitha strukturat e partisë.
-Dhe së dyti, mbi këtë çështje do të kenë gjatë ditës bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, për masat organizative.