Qeveria e bashkia e Tiranës kanë hequr dorë nga ndërtimi i Teatrit Kombëtar me anë të partneritetit publik-privat siç njihet ndryshe me akronimin PPP.
Në njoftimin zyrtar të Bashkisë së Tiranës, theksohet megjithatë se godina e re e Teatrit Kombëtar do ndërtohet nga shteti si investim publik.
Sipas bashkisë, pas disktutimit të komisionit të negociimit me kompanië private që kishte marrë përsipër realizimin e këtij projekti (FUSHA shpk), nuk ishte arritur dakordësia mes palëve.
Në fund të njoftimit zyrtar të publikuar na faqen në internet të bashkisë, thuhet se ajo zotohet ta ndërtojë në kohë rekord godinën e re të Teatrit Kombëtar duke i bërë thirrje qeverisë që ta mbështesë atë financiarisht.
Ndërsa jepet edhe afati i nisjes së punimeve që do jetë brenda këtij viti.
Projekti për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar nëpërmjet parnteritetit publik privat, ka nisur më shumë se një vit më parë.
Bashkia njoftonte asokohe, nëpërmjet një prezantimi ku mori pjesë edhe kryeministri Rama e kryebashkiaku Veliaj se teatri i ri do ndërtohej në partneritet me kompaninë Fusha, që në këmbim të shumës së parave të shpenzuara do përfitonte tokë për ndërtimin e disa kullave.
Asokohe projekti u kundërshtua fuqishëm, fillimisht nga një grup i madh artistësh e qytetarësh e më pas edhe nga opozita.
Kreu i PD-së, nënshkroi pak kohë më parë edhe një kontratë me artistët që kundërshtuan projektin, në mbrotje të Teatrit Kombëtar.
Pas disa dëgjesash publike, një pjesë e artistëve u tërhoqën duke pranuar projektin e bashkisë, realizuar nga arkitekti danez, Bjarke Ingels.
Njoftimi i Bashkisë
Në mbështetje të ligjit nr. 37/2018 dhe vendimit nr. 352, datë 04.04.2019 të Këshillit të Ministrave, pranë Bashkisë së Tiranës u ngrit komisioni për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, në përbërje të të cilit ishte edhe përfaqësia e artistëve.
Komisioni i vlerësimit dhe negocimit nisi punën me hartimin e thirrjes së hapur për palët private të interesuara, për të marrë pjesë në këtë procedurë konkurruese dhe paraqitjen e një oferte financiare për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe zhvillimin e zonës urbane. Thirrja e hapur u publikua në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, si dhe u dërgua për botim në buletinin zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve Publike.
Pas përfundimit të afatit për dorëzimin e ofertave, komisioni i vlerësimit, në përputhje me parashikimet ligjore dhe nën ekspertizën konsulentit të përzgjedhur për të ndihmuar komisionin, nisi punën me negocimin e ofertës së palës private të interesuar.
Komisioni i negocimit, në mbështetje të të gjitha kërkesave të komunitetit të artistëve për një teatër modern, i cili përmbush kriteret e nevojshme për realizimin profesional e me cilësi të shfaqjeve teatrale, nuk arriti të gjejë dakordësinë me palën private.
Modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit, i cili duhet të përmbushte të gjitha kërkesat teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komision, nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor.
Nisur nga interesi për të ndërtuar një godinë bashkëkohore dhe moderne, që plotëson të gjitha kushtet teknike për realizimin e shfaqjeve, e cila t’i shërbejë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës, Qeveria dhe Bashkia e Tiranës vendosën që godina e re e Teatrit Kombëtar të ndërtohet nga shteti si një investim publik.
Për këto arsye, Bashkia e Tiranës do t’i kërkojë Qeverisë Shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e kësaj vepre ikonike për qytetin dhe vendin tonë. Bashkia e Tiranës zotohet se do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar në një kohë më të shkurtër kalendarike dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet publike.
Puna për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar do të nisë brenda vitit të 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet të Shqipërisë.