Një grua është vrarë mesditën e sotme në qendër të qytetit të Durrësit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur brenda një dyqani, në afërsi të pallatit të sportit në sheshin “Azem Hajdari”.
Akoma nuk dihen shkaqet e ngjarjes së rëndë, por autori dyshohet se është bashkëshorti i viktimës, i cili e ka qëlluar atë me një levë hekuri.
“Më datë 26.02.2020, rreth orës 11:35, në lagjen Nr. 12, Durrës, shtetasi R. T., 63 vjeç, banues në lagjen Nr. 7, Durrës, në dyqanin që tregton metrazhe, dyshohet se ka goditur me levë hekuri, bashkëshorten e tij, shtetasen H. T., 59 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e shkaqeve të krimit.