Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi ka reaguar pas deklaratave të Ministres së Drejtësisë për konfliktin mes dy institucioneve lidhur me emërimet për Gjykatën Kushtetuese, për të cilën Kreu i Shtetit kallëzoi penalisht Etilda Gjonajn dhe dy vartës të saj.
Në reagimin e tij, Blushi shkruan se në deklaratën e saj Gjonaj nuk dha shpjegim për shkeljet e ligjit për të cilat është kallëzuar penalisht nga Presidenca.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka kallëzuar penalisht ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, së bashku me vartësit e saj, për këto vepra penale:
1.“Shpërdorim i Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
2.“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal;
3.“Falsifikim i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal;
4.“Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, parashikuar nga neni 246 i Kodit Penal.
Shoqja Etilda me deklaratën e saj sot nuk u dha asnjë shpjegim shkeljeve të ligjit që ka konsumuar, por përballë fakteve të pakundërshtueshme, vijoi avazin: retorikë me veten”-shkruan Blushi.
Më tej, Blushi thotë se Gjonaj me daljen e sotme për shtyp pranoi fajësinë për akuzat ndaj saj por që nuk arriti të arsyetonte pse autorizoi botimin në Fletoren Zyrtare të një akti që nuk ka dalë nga institucioni që ajo drejton.
“Me daljen e sotme, shoqja Etilda, ka pranuar tërësisht fajësinë për të gjitha veprat penale për të cilat ajo është akuzuar.
Shoqja Etilda nuk mundi të arsyetonte dot, se cila qe baza ligjore që e autorizon apo i jep të drejtë Ministrisë së Drejtësisë të kërkojë apo të urdhërojë botimin në Fletoren Zyrtare të një akti që nuk ishte nxjerrë prej institucionit të saj!
Shoqja Etilda, nuk i dha përgjigje pyetjes, cila është ajo dispozitë e Kushtetutës dhe e Ligjit që lejon botimin në Fletoren Zyrtare të akteve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”-shkruan Blushi.
Për Blushin, ministrja e Drejtësisë në deklaratën e saj nuk arriti të arsyetojë dhe të lexojë ligjet siç janë shkruar në Kushtetutë por ka lexuar deklaratën me porosi të shefit të saj.
“Shoqja Etilda, para se të përmendë në mekje e sipër nenet 3 dhe 4 të ligjit nr. 78/2014 “Për Qendrën e Botimeve Zyrtare”, bën mirë t`i lexojë më parë vetë. (Lexoji mirë nenet e mëposhtme)
Pra shoqja Etilda, vërtet ka dashur të bëjë publik sipas porosisë së shefit së saj, një akt të KED-së në Fletoren Zyrtare, po ka harruar të lexojë të gjithë ligjin, ku sanksionohen se në Fletoren Zyrtare botohen vetëm ato akte që përcakton Kushtetuta dhe ligji.
Ky vendim i KED-së, edhe pse shoqja Etilda ka dëshirë t`i bëjë reklamë, nuk lejohet të botohet në Fletore Zyrtare.
Shoqes Etilda, bashkë me deklaratën që i dhanë të lexonte, duhet t`i kishin dhënë edhe nenin 232, të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, që përcakton se ku botohen aktet e KED për renditjen e kandidatëve.
Shoqja Etilda, anashkaloi sqarimin për falsifikimin e dokumenteve shtetërore, kur vet Kuvendi i Shqipërisë, nuk i kishte kërkuar botimin në Fletore Zyrtare”-thotë zëdhënësi i Metës.
Në fund zëdhënësi i Metës i kujton ministres ditën që shkeli ligjin për të urdhëruar botimin në fletoren zyrtare të një akti jashtë institucionit të saj.
“Dita e shtunë e datës 9 nëntor 2019, kur shoqja Etilda dhe celula mafioze në Ministrinë e Drejtësisë, ka dalë në punë, është një prej elementëve që provon anën subjektive të konsumimit me nxitim dhe dashje të veprave penale, ndikimit të paligjshëm, falsifikimit, dhe shpërdorimit të detyrës.
Sa për hapjen e negociatave me BE-në, duhet ta dish se Kryekushti do të jetë hetimi dhe ndëshkimi i krimit Kushtetutes që keni bërë ju si grup i strukturuar kriminal.
Po pse u lodhe kaq shumë moj shoqe e vërtetë Rilindase, për të mos thënë asgjë?!
Etilda, trego shokët!
ME QETËSI DHE DREJTËSI, ERDHI KOHA PËR LLOGARI!”-përfundon Blushi.