Vendosni fjalën kyçe....

Ekzekutohet në stil mafioz ish-ushtari i UÇK-së, Qerim Kelmendi


Ekzekutohet Qerim Kelmendi, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin e tij, rreth mesnatës.

Policia e Kosovës ka deklaruar se ai është gjetur i djegur në makinën e tij.

“Me datën 27.02.2020 rreth orës 01:27, Policia e Kosovës Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq-Pejë, në një rrugë është duke u djegur një veturë.

Me të marrë informatën njësitet e Stacionit Policor në Pejë kanë shkuar në vendngjarje, ku vërejtur një veturë e cila ishte përfshirë  tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin.

Gjatë  kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar.”– njoftoi policia, citon gazeta Sinjali.

Policia po e trajton ngjarjen si vrasje.

“Gjatë  kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet më tej në njoftimin e policisë. Mediat në Kosovë shkruajnë se ai fillimisht është vrarë e më pas i është vënë flaka makinës me trupin e tij brenda.

Por kush është Qerim Kelmendi?

Qerim Kelmendi është vëllau i Ibrahim Kelmendit, ish-anëtarit të Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Qerimi gjithashtu ishte anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) dega brenda Kosovës dhe së bashku me vëllain e tij, Ibrahimin ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në fillimet e saj.

Madje, Qerimi kishte thënë se ishte plagosur në gusht vitit 1996, duke qenë kështu i plagosuri i parë i UÇK-së.

Kelmendi ishte një prej kritikëve më të ashpër të rezistencës paqësore të Kosovës. Ai ka bërë akuza të rënda ndaj ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe bashkëpunëtorëve të tij, përmes postimeve në rrjetet sociale.

Emri i Qerim Kelmendit është lidhur shumë herë me vrasjet e pasluftës në Kosovë. Një dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmeti, e ka akuzuar atë dhe vëllain e tij për organizim të vrasjeve të pasluftës në Kosovë, e specifikisht për vrasjen e deputetit të LDK-së, Smail Hajdaraj, dhe kolonelit Tahir Zemaj. Por ai i ka mohuar këto akuza.

 “Telenovela që po tjerret qe 10 vite! E paska zbulue Makinën me Avull!”, shkruante  Kelmendi në një postim në rrjetet sociale.

Postimet e fundit

Pak orë para se të gjendej i vrarë në fshatin Zahaq të Pejës, Kelmendi i kishte dalë në mbrojtje nënkryetarit të organizatës së veteranëve, Nasim Haradinaj, që e quajti tradhtar ish-presidentin Ibrahim Rugova.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, shkruante se emri i Ibrahim Rugovës është shndërruar në lavatriçe të udbashëve.

“Emri i Ibrahim Rugovës ështē shendrruar ne Lavatriçe të udb-ashve, titistve, rankoviqistve, rugovistve, pastaj, të qyqarve, dezertorve dhe sabotatorve te luftës. Këtë farē te keqe e ka mbjellë, kultivuar, rritur dhe korrur UDB dhe KOS ! Janë shumë…”, shkruante Kelmendi, i cili kishte shpërndarë një intervistë të Haradinajt, ku fliste për Rugovën.

Ai kishte bërë edhe një postim të dytë ku shpërndante këtë shkrim: “Të quhet Nasim Haradinaj farë e keqe nga Naser Rugova, është fyerje jo vetëm për Nasimin, por, edhe për babanë e tij hero”. Kelmendi shton se edhe ai konsiderohet si tradhëtar dhe urrehet nga mijëra shqiptarë, sepse në pakicë luftoi kundër Serbisë./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *