Autoritetet në Pakistan kanë gjetur mbetjet e një adoleshenti brenda rrethimit të luanëve në një kopsht zoologjik, një ditë pasi ai u shpall i humbur.
Zyrtarët thanë që po hetojnë se si 17-vjeçari Muhamed Bilali e kaloi gardhin dhe çfarë e shkaktoi vdekjen e tij.
Por banorët vendas kanë fajësuar stafin për paaftësi dhe në fillim të kësaj jave zyrat e kopshtit zoologjik u kontrolluan.
Kopshti zoologjik Lahore, i themeluar në vitin 1982, është parku më i madh dhe më i vjetër i kafshëve në Pakistan.
Një nga drejtorët në kopshtin zoologjik, Chaudhry Shafqat, tha për BBC-në se banorët nga një fshat aty pranë shkuan të martën në mbrëmje duke kërkuar ndihmë për të kërkuar djalin.
“Ne u thamë atyre që ishte tepër vonë dhe mund të ishte e rrezikshme për të filluar një kërkim në errësirë”- tha Shafqat.
Gjatë një kontrolli që u bë mëngjesin e së mërkurës, punonjësit e kopshtit zoologjik gjetën një kafkë me gjak, disa eshtra dhe copa të rrobave të grisura, të cilat të afërmit i njohën si veshje të djalit të zhdukur.
Të afërmit u thanë autoriteteve që djali ishte larguar nga shtëpia të martën pasdite për të prerë barin, i cili do përdorej për foragjere bagëtish.
Eshtrat e Bilalit janë dërguar për teste për të konfirmuar shkakun e vdekjes.