Ndërkohë që në Shqipëri po përballemi me rritje të çmimeve të dezinfektantëve dhe maskave mbrojtëse ende pa patur asnjë të konfirmuar me koronavirus, në Itali farmacitë kanë nisur të ofrojnë dezinfektantët e duarve falas.
Që nga e mërkura e 26 shkurtit, siç shkruajnë mediat italiane, farmacia Komunale “Sacro Cuore” në Rosolini, ka vendosur të përgatisë dezinfektuesin në laborator dhe ta ndajë falas.
Rreth 800 shishka me 20 ml llak, janë përgatitur me një përqendrim të alkoolit mbi 60%, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, një përqindje e aftë për të luftuar edhe koronavirusin.
“Meqenëse janë të kufizuara, ne i ftojmë qytetarët t’i përdorin racionalisht ato dhe për situata të veçanta”- thotë dr.Nino Cavarra, pronar i Farmacisë.
Në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe një farmaci në Milano, e cila ka nisur të shpërndajë falas dezinfektantë për qytetarët.
“Ne shpërndajmë falas për klientët tanë që kanë kartën e anëtarësisë. U japim atyre 80 ml xhel dezinfektues të bërë në laboratorin tonë me bazë alkooli 70%.
Do të donim të ishim në gjendje të jepnim shishen dhe dezinfektuesin së bashku, por kontejnerët janë pothuajse të pamundur të gjenden. Ejani me shishen tuaj dhe ne do t`ua mbushim atë”, u shpreh Giuseppe Piçarreta, pronari i farmacisë Smeraldo në Milano, citon Repubblica.
E këto dy raste kanë frymëzuar dhe farmacistë të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë.
Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga koronavirusi është duke larë duart, por nëse kjo nuk është e mundur sepse ndodheni në një udhëtim ose nëse jeni larg shtëpisë për një kohë të gjatë, dezinfektimi i duarve është metoda më e mirë për parandalimin.