Tenistja ruse Maria Sharapova ka hequr dorë nga tenisi profesional në moshën 32-vjeçare. Pas një karriere që dha pesë tituj Grand Slam, Wimbledon (kur ishte 17 vjeç), US Open, Australian Open dhe Roland Garros (2 herë), Sharapova dha lajmin se po tërhiqet.
“Si mund ta lësh pas të vetmen jetë që ke njohur? Si mund të largohesh nga fushat ku je stërvitur që e vogël, nga sporti që dashuron, që të dhuroi lot dhe lumturi, ku ke gjetur një familje dhe ku të kanë mbështetur tifozë përgjatë 28 viteve? E kam për herë të parë këtë, kështu që, ju lutem, të më falni. Tenis, po ndahem nga ty”– tha Sharapova.
Tenistja publikoi edhe një foto në Instagram, në të cilët shfaqet në një moshë të vogël dhe në një fushë tenisi.
“Tenisi më tregoi botën”- shkruan ajo.
Daily Mail shkruan se problemet e përsëritura të shpatullave, ishin ndër dëmtimet që e shtynë sportisten të tërhiqej.
Sharapova pranoi se humbja e saj 6-1, ndaj Serena Williams në 2019-ën, ishte ‘sinjali i fundit ’që asaj i kishte ardhur koha për të dalë në pension.