Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Shëndetësisë apel udhëtarëve: Të vetëkarantinohen për 14 ditë


Ministria e Shëndetësisë, u bën apel të gjithë udhëtarëve që kanë qenë në zonat e prekura nga koronavirusi, apo që kanë pasur kontakte me persona të dyshuar, të vetëkarantinohen për një periudhë prej 14 ditësh.

Ky apel u përcoll nga ekspertja e ISHP-së, Eugena Tomini, e cila po jepte informacionet e fundit për situatën në vend.

“Ministria e Shëndetësisë rekomandon që personat që vijnë nga zonat e prekura dhe kanë pasur kontakte me persona të prekur të vetëkarantinohen. Ata që kanë pasur shenja të temperaturës apo kollës të telefonojnë në numrin 127. Udhëtarët vlerësohen përmes temperaturës. Personat që janë futur në karantinë në pjesën veriore në Itali nuk dalin nga karantina. Ata që kanë temperaturë duhet të vetëkarantinohen në shtëpi dhe të marrin rekomandime. Është shumë e rëndësishme që bashkëpunimi të jetë vendimtar. Bëj thirrje që gjithë udhëtarët të respektojnë masat”, tha ajo.

Tomini deklaroi se 3500 udhëtarë në Rinas janë kontrolluar në 24 orët e fundit, duke iu matur temperatura, ndërkohë që në total janë bërë analizat për 17 raste të dyshuara, që për fat kanë rezultuar negative. Ajo theksoi se në vend nuk ka ende asnjë person të prekur nga koronavirusi, që në shtetin fqinj, Itali, i ka marrë jetën 12 personave dhe ka infektuar mbi 450 të tjerë.

E pyetur se ku është vendosur karantina, Tomini theksoi se nuk ndodhet brenda QSUT-së por nuk dha detaje të mëtejshme se ku ndodhet.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *