Pasi koronavirusi shpërtheu në mënyrë të frikshme në Itali, të tjera vende në Europë kanë shënuar rastet e para të konfirmuara me sëmundjen.
Autoritetet shëndetësore norvegjeze të mërkurën konfirmuan rastin e parë të koronavirusit në vendin nordik tek një person që kishte një javë që ishte kthyer nga Kina. Por thanë se pacienti nuk është në rrezik.
“Personi nuk është i sëmurë, është në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk paraqet asnjë simptomë”- u tha gazetarëve Line Vold, një zyrtar në Institutin Norvegjez të Shëndetit Publik.
“Ne mendojmë se nuk ka shumë mundësi që ai të kenë infektuar të tjerë”- tha ai, citon thelocal.no.
Autoritetet shëndetësore aktualisht nuk po e rekomandojnë ekzaminimin e çdo individi që udhëton në vend, duke theksuar se kjo masë nuk do të ishte plotësisht e efektshme sepse njerëzit që mbartin virusin nuk do të rezultojnë pozitivivë në teste, gjatë periudhës së inkubacionit.
Danimarka gjithashtu ka konfirmuar të infektuarin e parë me koronavirus, një njeri i cili kohët e fundit ishte kthyer nga pushimet në rajonin e Lombardisë në veri të Italisë.
Pas testit pozitiv të mërkurën në mbrëmje, burri u vendos në izolim në shtëpinë e tij së bashku me gruan dhe djalin e tij, të cilët të dy rezultuan negativ për virusin.
“Ne po e marrim shumë seriozisht situatën e re. Puna për kontrollimin dhe gjurmimin ka filluar”– tha Ministri i Shëndetësisë, Magnus Heunicke.
Estonia është shteti i fundit europian që ka konfirmuar rastin e saj të parë me koronavirus. Ai është një burrë që u kthye nga Irani, shkruan Reuters.
“Ne po flasim për një banor të përhershëm të Estonisë i cili nuk është shtetas i Estonisë,” raportoi Interfax, duke cituar ministrin estonez të Çështjeve Sociale, Tanel Kiik.
“Sipas informacionit tim, ai është një qytetar i Iranit”- tha Kiik.