Operacioni ‘Forca e Ligjit’ iu ka dërguar një ultimatum tre personave të tjerë të dënuar për krime të rënda, duke i kërkuar deklarimin e pasurisë së tyre brenda 48 orëve.
Tre personat e vënë në shënjestër nga OFL-ja janë Jasin Kala, Arben Frroku dhe Durim Keçi.
Arben Frroku është dënuar nga Gjykata e Apelit me burg të përjetshëm për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj në shkurt të 2013. Pas një kalvari gjyqësor, në Prill të 2015-s Arben Frroku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Pasi doli nga qelia, Frroku u largua nga Shqipëria ditën që Apeli i Krimeve të Rënda rrëzoi vendimin e Shkallës së Parë dhe vendosi dënim me burgim të përjetshëm për Arben Frroku. Ky i fundit u kap në Holandë me pasaportë false disa muaj më vonë, dhe më Gjykata e Holandës vendosi për ekstradimin për në Shqipëri të Arben Frrokut, por ky i fundit deklaroi se nuk duhet të ekstradohet në Shqipëri sepse kërcënohej nga gjakmarrja. Gjykata e Hagës ka vendosur për mosekstradimin e tij, pavarësisht një vendimi të mëparshëm nga një gjykatë që kishte vendosur për ekstradimin e tij në Tiranë.
Durim Keçi u ndalua në Durrës më 11 tetor të vitin 2011, dhe u bë i njohur edhe në debatet mes politikanëve. Kreu i PD-sw Basha publikoi asokohe fotot të tij me deputetë socialistë, duke akuzuar se mazhoranca mbante afër kriminelët, ndërsa kryeministri Rama publikoi foto të Durim Keçit që shfaqej te çadra e protestës së demokratëve. Keçi është dënuar nga Gjykata e Genovës, Itali me Vendimin Nr.SIEP 294/2013 dt.21.02.2014 me 9 vjet e 7 muaj e 22 ditë burg për veprat penale”: Dhunë, kërcënim dhe nëpërkëmbje të autoriteteve gjyqësore”, “Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Trafikim të lëndëve narkotike “,” Krime me armë kundër personit”, ” Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe” Shfrytëzim prostitucioni”.
Jasin Kala, alias Jasin Avdyli, me pseudonimin “Cine” i Shijakut, është një nga policët e implikuar në grupet kriminale i arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Vol-vo 4”. Ndërkohë që çështja vijon në organet e drejtësisë, atij i është ndryshuar masa e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për arsye shëndetësore. Gjykata ka urdhëruar që ky shtetas pavarësisht se në arrest shtëpie, nuk duhet të kontaktojë me asnjë person të jashtëm.
DEKLARATA E POLICISË
Vijon Operacioni Forca e Ligjit.
Në zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL vijon intensivisht punën për kryerjen e veprimeve komplekse, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit.
Në kuadër të Aktit Normativ nr. 1, datë 31.01.2020, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve:
– J. K., banues në Shijak, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;
– A. F., banues në Tiranë, i dënuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe Armëmbajtja pa leje”;
– D. K., banues në Shijak, i dënuar në Itali për veprat penale “Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Krime me armë kundër personit”, “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike dhe shfrytëzimin e prostitucionit”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL bën me dije se të gjithë personat që iu është dërguar kërkesa me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, i kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar pranë OFL-së, e cila ka vijuar me procedurat, sipas përcaktimit në Aktin Normativ nr. 1, të datës 31 janar 2020.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.