Regjisori Kastriot Çipi u ka bërë thirrje artistëve e e qytetarëve që të mos tërhiqen nga mbrojtja e Teatrit Kombëtar.
Çipi thekson se Rama e Veliaj nuk janë tërhequr aspak nga prishja e Teatrit Kombëtar por thjesht po i ofrojnë kompanisë Fusha shpk. lekë të sigurta nga taksapaguesit shqiptarë.
Regjisori thekson gjithashtu se fitorja e vetme morale e artistëve dhe qytetarëve shtë rrëzimi i ligjit special dhe nisja e procedurës nga e para.
Ndërsa e mbyll me thirrjen për të mos u tërhequr nga protesta si mundësia e vetme për të mbrojtur teatrin.
‘Po vërej se ka ende keqkuptime mbi vendimin e Bashkisë Tiranë për anullimin e tenderit për Teatrin Kombëtar dhe qëndrimin e AMT ndaj këtij zhvillimi të ri. Miq, Bashkia Tiranë është vegël në duart e Diktatorit Edvin dhe ky i fundit nuk ka hequr dorë nga synimi i tij prej tradhëtari të kombit, për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ai thjesht ka mirëkuptuar kompaninë “Fusha” shpk, që kishte frikë ta niste punën me paratë e veta, siç kërkonte ligji special dhe do t’i ofrojë asaj pagesë të sigurt, nga taksat tona. E vetmja gjë që kemi fituar deri tani, është se kemi rrëzuar ligjin special dhe e kemi detyruar Diktatorin ta nisë procedurën nga e para. Ky është një avantazh moral për ne, në debatin që do të fillojë së shpejti dhe zhvillim pozitiv në opinionin publik. Nga ana tjeter, Diktatori i ka ende në dorë të gjithe instrumentet që i duhen. Tani që ai kontrollon 99% të këshillit bashkiak të Tiranës, nuk ka më nevojë për ligjin special. Nëse ne heqim dorë nga protesta, Teatri Kombëtar mund të shembet, si pasojë e një tenderi për ndërtimin e Teatrit të ri po aty. Madje edhe kullat mund të ndërtohen me një ankand për shitjen e truallit ose ndërtimin me PPP, me miratimin e këshillit bashkiak.’ – shkruan Çipi në Facebook.