Të tjera detaje dalin në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi një ditë më parë në Durrës, ku një grua u vra në biznesin e saj.
Bashkëshorti i saj, i cili akuzohet si autor i ngjarjes ka pranuar krimin në polici ku ka rrëfyer dhe motivet e konfliktit me të shoqen.
Tasuni ka treguar se sherri me gruan ka nisur për shkak të dyqanit që donte ta shiste.
“Shkak për konfliktin është bërë një zënkë që patëm për çështjen e dyqanit. Punët aty s’po ecnin mirë dhe i thashë ta shesim. Aty nisi gjithçka. Ajo nuk donte. Llaf pas llafi situata u agravua. Në gjaknxehtësi e sipër e qëllova me hekurin që mbyllim qepenin (shufër hekuri me ganxhë). E godita në kokë”, ka rrëfyer Tasuni, citon BalkanWeb.
Ai ka thënë se gruaja ka tentuar të shpëtoi por e ka qëlluar sërish. “Ajo tentoi të dilte nga dyqani por e tërhoqa brenda dhe e qëllova sërish. Nuk isha në vete në ato momente. E humba toruan fare”, ka qenë dëshmia e tij.
Pas ngjarjes së rëndë, tre fëmijë kanë humbur nënën ndërsa babanë e tyre e pret burgu. Sipas gazetës Panorama, ishte vetë Ruzhdi Tasuni ai i cili lajmëroi policinë për ngjarjen e rëndë.
Pasi konstatoi se bashkëshortja kishte ndërruar jetë, 63-vjeçari mbylli qepenin e dyqanit dhe shkoi bleu te dyqani përballë një paketë cigare. Pasi është kthyer, ka hyrë në farmacinë pranë biznesit duke vënë në dijeni të pranishmit se kishte vrarë gruan.
Më pas, u ul në trotuarin ku ndodhej dyqani i tij dhe priti policinë të vinte ta arrestonte.