Kompania e cila është pronare e birrës “Corona” po përballet me humbjet më të mëdha në dhjetë vjetët e fundit, si pasojë e përhapjes së koronavirusit.
Gazeta “The Independent” shkruan se “Anheuser-Busch In Bev” zotëron disa nga brendet më të njohura botërore të birës, duke përfshirë edhe Budëeiser, Stella Artois, Beck’s dhe Corona.
Mirëpo në dy muajt e fundit që kur koronavirusi ka filluar të shpërndahet në Kinë, kompania ka pësuar 170 milionë dollarë humbje nga fitimet në vend, pikërisht në kohën kur ata po prisnin shitje të mëdha për shkak të vitit të ri hënor.
Humbjet e kanë detyruar kompaninë që të shkurtojë bonuset për shefin ekzekutiv dhe të parashikojnë një nga rëniet më të mëdha në fitimet e saj 3-mujore të vitit. Kjo është pikërisht rënia më e madhe 3-mujore në 10 vitet e fundit.
Kompania beson se rënia e fitimeve vjen për shkak se shumë pak njerëz po dalin në publik në Kinë për të mënjanuar rrezikun e infektimit me virus. Kjo po ndikon edhe në jetën e natës, ku shumë lokale e restorante po detyrohen të mbyllen.
Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, Carlos Brito i tha CNBC: “Biznesi ynë ka të bëjë me të shkuarit në restorante, me jetën e natës, me daljet jashtë me miqtë, është me të vërtetë për normalitetin, ne po përgatitemi për rritje kur gjërat të kthehen në normalitet.”
Numri i përgjithshëm i njerëzve të infektuar në të gjithë botën nga koronavirus tani është rritur në mbi 80,000 ndërkohë që janë regjistruar rreth 2.700 vdekje.