Vendosni fjalën kyçe....

Edi Rama përplas ambasadat në Tiranë


Vizita e kryeministrit Edi Rama në Moskë dhe specifikisht takimi i tij me ministrin e jashtëm rus Sergej Lavrov ka sjellë një përplasje mes dy ambasadave të huaja në Tiranë, asaj ruse dhe amerikane.

Ditën e djeshme, ambasadorja e re amerikane Yuri Kim komentoi krenare për një koment të kryeministrit Edi Rama që kishte korrigjuar ministrin rus (lexo këtu). Në postimet e ambasadores sugjerohej se Lavrov ishte shprehur se detyrimet e Shqipërisë ndaj NATO-s dhe BE-së janë bërë pengesë e zhvillimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Rusisë. Dhe se Rama ishte përgjigjur se shqiptarët nuk janë të detyruar por kanë zgjedhur të jetë në të njëjtën linjë me aleatët e saj si NATO dhe BE-ja.

Mirëpo ambasada ruse në Tiranë ka reaguar sot, duke thënë se deklarata e ministrit Lavrov nuk është paraqitur e plotë as nga mediat e as nga ambasadorja amerikane, duke bërë që fjalët e tij të keqkuptohen.

“Kemi vënë re se Ambasadorja e SHBA-ve në faqen e saj në Twitter dhe më pas edhe një serë mediash lokale kanë shtrembëruar fjalët e Ministrit të Jashtëm Rus Sergej Lavrov në konferencën për shtyp me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Edi Rama.

Pse? Shkaku mund të jetë përkthim i gabuar ose mosdëshirë për të verifikuar fjalët origjinale. Shpresojmë se kolegët tanë e kanë bërë pa qëllim të keq. Prandaj postojmë versionin origjinal.”- shkruan ambasada ruse në Tiranë.

Më pas jep në anglisht, versionin origjinal të deklaratës së ministrit rus.

“Në fjalën time hyrëse përmenda që ne jemi të hapur për të zhvilluar marrëdhëniet aq intensivisht sa të ndihen mirë kolegët tanë shqiptarë. Përgjigja për këtë pyetje varet kryesisht nga Shqipëria. Z. kryeministër theksoi detyrimet që Shqipëria ka ndaj NATO-s, veçanërisht ndaj aleatit të tyre, Shteteve të Bashkuara. Ne jemi të vetëdijshëm që Shqipëria do të dëshironte të fillonte procesin e pranimit për të hyrë në Bashkimin Europian dhe ne shohim që kjo po ndodh në të vërtetë.

Ekzistojnë një mori shembujsh (unë jam i sigurt se Shqipëria mund të jetë një prej tyre) kur asnjë detyrim që përmenda nuk parandalon zhvillimin e marrëdhënieve normale, të shëndetshme që janë mbi të gjitha të dobishme reciprokisht në sfera të tilla si tregtia, investimet dhe bashkëpunimi ekonomik, dhe e bëjnë atë e mundur për të promovuar kontaktet nga njerëzit në njerëz në fushat humanitare, kulturore dhe arsimore, duke lehtësuar kështu marrëdhëniet e mira. Unë nuk shoh ndonjë arsye që mund të na pengojë të zhvillojmë marrëdhënie të tilla.” – citohet Lavrov.

 

Burim i kësaj përplasjeje është një deklaratë e kryeministrit Rama gjatë takimit me Lavrov, kur në një përpjekje për të bërë batuta, korrigjoi Lavrovin. Ai tha se do ta shënonte në CV se e kishte korigjuar atë.

“Do ta shënoj në CV-në time që kam korrigjuar dikur Ministrin Lavrov. Nuk është detyrim, është zgjedhje. Ne nuk jemi në të njëjtën linjë me aleatët tanë të mëdhenj me NATO-n ose BE-në sepse jemi të detyruar ta bëjmë, por sepse kemi zgjedhur… Askush nuk na detyron. Ne kemi zgjedhur dhe jemi krenarë që i përkasim asaj familjeje të madhe.”. Lavrov e sqaroi Ramën se ishte problem i përkthimit dhe se ai vetë nuk ishte shprehur ashtu, mirëpo kjo pjesë e deklaratës së Lavrovit mesa duket nuk është parë nga ambasadorja amerikane./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *