Mëngjesin e sotëm mediat në vend kanë raportuar për arrestimin e botuesit Henri Çili. Lajmet fillimisht nisën me një operacion në Gjirokastër, e më pas u zbulua se mes të arrestuarve ishte edhe botuesi i njohur.
Sipas News 24, bashkë me Çilin janë arrestuar dhe 7 persona të tjerë, mes tyre dhe një avokat. Ata janë shoqëruar nën masa të rrepta sigurie në drejtim të komisariatit të policisë së Gjirokastrës.
Ndaj Çilit, Prokuroria ka ngritur akuzat e falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit, si edhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm te organet e drejtësisë. Kjo sepse ai dyshohet se ka ndërhyrë te organet e drejtësisë për të liruar nga burgu një person të dënuar.
Historia nis në shtator të 2019-ës, kur Prokuroria e Përmetit ka nisur disa hetime për prodhim dhe shitje narkotikësh. Gjatë këtyre hetimeve, dyshohet se Henri Çili ka komunikuar me babain e një të burgosuri Arbion Alikos, Adil Aliko, ku i premtonte se do të negocionte me një gjyqtar për lirimin e të birit.
Kujtojmë se Arbion Aliko, është i dënuar me burg përjetë për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, ndërkohë që vëllai i tij është dënuar me 20 vite.
Po sipas News 24, ka dyshime që Çili i mori Alikos një apartament, dyqan dhe prona të tjera me premtimin se do e ndihmonte të nxirrte të birin nga burgu.
Megjithatë theksojmë se ende nuk ka një njoftim zyrtar nga policia për të konfirmuar lajmet që po qarkullojnë./Hashtag.al