Ish-deputetja demokrate Orjola Pampuri, inspektoi situatën shëndetësore dhe masat e marra nga qeveria për parandalimin e rrezikut nga ky virus.
Pampuri e cila është përfaqësuesja e Grupit të Punës për Coronavirusin ngritur pranë Partisë Demokratike, u ndal në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe në një prej Qendrave Shëndetësore në qendër të qytetit, ku konstatoi të njëjtën situatë si në Tiranë.
Ajo tha se asnjë masë mbrojtëse nuk është marrë për koronavirusin dhe sipas saj gjithçka e deklaruar deri tani nga autoritetet ka qenë vetëm propagandë boshe.
Pampuri ngriti shqetësimin se mjekët dhe stafi shëndetësor po punon pa asnjë masë mbrojtëse duke rrezikuar shëndetin e tyre dhe të qytetarëve të Durrësit të cilët kryejnë të gjitha vizitat në këto dy institucione.
“Jemi në spitalin e Durrësit ku pata rastin të vizitoj ambientet e brendshme të spitalit të Durrësit, takova personelin shëndetësor, takova mjekë, prej të cilëve një pjesë e tyre ishin të pa pajisur me maska, madje edhe ata që kishin maska kishin mundur t’i siguronin privatisht duke i blerë vetë këto maska. Ka një furnizim shumë të dobët me doreza, të cilat duhet te jenë të pranishme këto ditë, mjekët nuk kanë kapuç, nuk kanë doreza, nuk kanë dezinfektantë, ka mungesë maskash”, – deklaroi Pampuri.
Sipas Pampurit, situata është tërësisht e kundërt me atë që paraqet Ministria e Shëndetësisë.
“Është gjithçka ndryshe nga jo që paraqet ministria dhe nga ajo që paraqitet nga qeveria. Nuk ka asnjë plan masash të qartë dhe i cili t’i bëhet i ditur qytetarëve. Jemi në prag të një epidemie, ku vendet fqinje, Itali dhe Greqia kanë shumë të prekur. Italia ka shumë të prekur koronavirusi dhe duke qenë në një situatë të tillë sigurisht edhe Shqipëria duhet të kishte një plan masash të cilat duhet të ishin bërë të qarta qytetarëve, duhet të kishte një strategji. Strategjia që qeveria dhe ministria po ndjek është komplet ndryshe nga ajo që po ndjekin vendet e Europës dhe është komplet ndryshe dhe komplet ndryshe nga ato që po ndjekin vendet të cilat sigurisht kanë paraqitur masat mbrojtëse për t’u përballur me koronavirusin” – tha ish-deputetja e cila i kërkoi qeverisë të kthejë vëmendjen tek shëndetësia.