Pas arrestimit të botuesit Henri Çili, ka reaguar profesorati i Universitetit Europian të Tiranës.
Pas një mbledhjeje të zhvilluar ditën e sotme, rektorati sqaron se ndalimi Çilit nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e UET-it.
“Në interes të informimit të drejtë publik, Senati Akademik i Universitetit Europian të Tiranës sqaron se ndalimi i z. Henri Çili nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e UET dhe European Education Initiative shpk, që ka në pronësi këtë universitet. Performanca ekselente i ka dhënë këtij Universiteti statusin e një aktori publik me rëndësi kombëtare dhe më gjerë, ndaj ne si anëtarë të Senatit Akademik reagojmë me indinjatë ndaj pasaktësive, spekulimeve ose dashakeqësive në raportimin e ngjarjes së sotme, duke sqaruar se thirrja e z. Cili në organet e drejtësisë lidhet me dhënien sqarime mbi Legal Studio shpk, i cili është një entitet krejtësisht i pavarur nga Universiteti Europian i Tiranës. “ – thuhet në qëndrimin e Senatit të UET-së, i cili është firmosur në unanimitet nga të gjithë anëtarët.
Në disa media u raportua sot se në ambientet e UET-it ka patur disa kontrolle nga ana e policisë, lidhur me arrestimin e pronarit të universitetit Henri Çili.
Shefi i Policisë Ardi Veliu tha se Çili, akuzohet për kryerjen e veprave penale si “Fshehja e të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim.
Çili akuzohet se gjatë hetimeve të prokurorisë për operacionin, ka komunikuar me babain e një të burgosuri Arbion Alikos, Adil Aliko, ku i premtonte se do të negocionte me një gjyqtar për lirimin e të birit. Arbion Aliko, është i dënuar me burg përjetë për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, ndërkohë që vëllai i tij është dënuar me 20 vite.
REAGIMI I PLOTË
Reagim i unifikuar i Profesoratit të Universitetit Europian të Tiranës:
Në interes të informimit të drejtë publik, Senati Akademik i Universitetit Europian të Tiranës sqaron se ndalimi i z. Henri Çili nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e UET dhe European Education Initiative shpk, që ka në pronësi këtë universitet.
Si një institucion me përvojë 15 vjeçare në arsimin e lartë në Shqipëri, UET gëzon reputacion të lartë dhe vlerësim maksimal sa u përket standarteve të cilësisë, të njohura nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, prej të cilave është licensuar dhe akredituar, ligjërisht.
Performanca ekselente i ka dhënë këtij Universiteti statusin e një aktori publik me rëndësi kombëtare dhe më gjerë, ndaj ne si anëtarë të Senatit Akademik reagojmë me indinjatë ndaj pasaktësive, spekulimeve ose dashakeqësive në raportimin e ngjarjes së sotme, duke sqaruar se thirrja e z. Cili në organet e drejtësisë lidhet me dhënien sqarime mbi Legal Studio shpk, i cili është një entitet krejtësisht i pavarur nga Universiteti Europian i Tiranës.
UET është universiteti më i madh privat në vend, me numrin më të lartë të studentëve të regjistruar në ciklin e parë, Bachelor, për vitin akademik 2019-2020 dhe renditet i gjashti për numrin e studentëve, ndër të gjitha universitetet publike dhe private, në rang kombëtar.
UET dhe shoqëria që e ka në pronësi, respektojnë të gjitha standardet e mirëadministrimit, sipas legjislacionit në fuqi në të gjitha aspektet dhe kanë marrëdhënie shumë korrekte me të tretët. Ky institucion u është nënshtruar standardeve më të larta ndërkombëtare në auditim financiar.
Senati Akademik i UET garanton opinionin publik se i gjithë stafi akademik i Universitetit, mbi 100 pedagogë të brendshëm, profesorë dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave mbeten të përkushtuar për të vijuar misionin e këtij institucioni të arsimit të lartë, në raport me studentët dhe shoqërinë.