Vendosni fjalën kyçe....

Rreziku nga koronavirusi, Basha: Mungojnë pajisjet mbrojtëse dhe spitalore


Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar sot se në të gjitha strukturat shëndetësore ka nisur shpërndarja e 1.2 milion maskave shtesë.

“Përpos stokut që strukturat shëndetësore kanë, sot ka nisur shpërndarja e 1.2 milion maskave kirurgjikale në strukturat e parësorit dhe spitalet e vendit. Ndërkohë spitalet duhet të marrin masa për të rritur akoma më shumë stokun e mjeteve të mbrojtjes personale, me fondin prej 1 milion dollarë shtesë që kemi rialokuar në buxhetet e spitaleve, për të patur stokun e domosdoshëm për çdo situatë, me fokus tek QSUT”, u shpreh Manastirliu.

Mirëpo kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, thotë se ka mungesë të pajisjeve mbrojtëse dhe spitalore. Ai kërkon t’i jepet fund propagandës qeveritare.

“PD po ndjek seriozisht dhe me përgjegjësi situatën për marrjen e masave kundër përhapjes së corona virus-it në vend. Grupe pune po kryejnë verifikime pranë qendrave shëndetësore, spitaleve & vendkalimeve kufitare, dhe gjendja nuk është siç e paraqet propaganda e qeverisë. Në pjesën më të madhe të qendrave mungojnë pajisjet mbrojtëse dhe spitalore. Duhet URGJENT heqje dorë nga propaganda dhe përgatitje serioze për përballimin e situatës së mundshme të corona virus-it që tashmë është i pranishëm në pothuajse të gjitha vendet fqinje me Shqipërinë.”, shkruan Basha.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *