Klubi i futbollit Pianeze, është vendosur në karantinë pasi tre lojtarë dhe një bashkëpunëtor i klubit rezultuan pozitivë në testin e koronavirusit.
Siç shkruan Il Messaggero, një pjesëtar i klubit nga Toskana e Italisë, shfaqi fillimisht simptoimat javën e kaluar. Kjo kur skuadra kishte udhëtuar në Aleksandri në kuadër të ndeshjeve të Serisë C.
Më pas edhe tre pjesëtarë të tjerë të klubit kanë shfaqur të njëjtat simptoma e pas testeve për koronavirusin të katërt kanë rezultuar pozitivë. Si rezultat ndeshjet e Pianezes janë pezulluar për 15 ditë.
“Në këto momente kemi 4 të prekur me koronavirus. I pari ishte një lojtar i ri i cili shfaqi temperaturë të lartë dhe dhimbje koke të dielën e kaluar. Aktualisht, kemi vendosur në karantinë për një periudhë 15 ditore të gjithë lojtarët, stafin teknik dhe menaxherët që morën pjesë në udhëtimin e fundjavës së kaluar”- tha një zëdhënës i klubit italian.
Tre nga të prekurit janë lojtarë ndërsa personi i katërt është një bashkëpunëtor i klubit.