Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi tha se vetëm një i çmendur i bën ato që kryeministri Edi Rama ia bën shtëpisë së vet, Shqipërisë.
Kryemadhi tha se asnjë lider përveç Ramës nuk i ka ofenduar më parë vëllezërit kosovarë, përfshirë këtu presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin.
“Ju besoj të gjithë e lexoni që kemi një slogan ‘Shqipëria, Shtëpia jonë’ dhe ne e kemi thënë dhe jo e kemi thënë thjesht në kuadrin e një sloganit por e kemi biseduar dhe kemi diskutuar gjatë për të sepse vërtetë mendojmë që Shqipëria është shtëpia jonë, dhe vërtetë mendojmë që ne duhet të jetojmë në Shqipëri.
Nëse Shqipëria do të ishte shtëpia e Edi Ramës apo e dikujt tjetër, të jeni të bindur që vetëm një i çmendur mund t’ia bëj këto gjëra, që ja bën Edi Rama shtëpisë së vet Shqipërisë. Një njeri normal nuk do të bënte kurrë atë çfarë ka ndodhur. Një njeri normal edhe pse mund të kemi mos marrëveshje midis motrës me vëllain apo vëllai me vëllain e ruan dhe e mban brenda shtëpisë së tij konfliktin, por nuk e nxjerr jashtë. Unë nuk jam shumë e vjetër, por as shumë e re nuk jam, jam 45 vjeç rrugës për 46, e kam jetuar dhe atë sistem dhe këtë sistem, kam jetuar dhe tranzicionin, kam jetuar dhe qeverisjen e Partisë Socialiste, kam jetuar dhe qeverisjen e LSI-së, kam jetuar dhe opozitën e Partisë Socialiste, i kam jetuar të gjitha kohërat. Por nuk kam parë asnjë lider qoftë të asaj kohe por qoftë edhe të kohës tjetër të tranzicionit që të nxjerri gjithë fjalorin që ka kundër vëllezërve tanë që janë në Kosovë që nga Hashim Thaçi e deri tek Albin Kurti. Ju në Vlorë mund ta ndjeni më shumë se në një rreth tjetër sepse historia e Vlorës është e lidhur ngushtë me historinë e Kosovës sepse dhe Vlora është e lidhur dhe e njehësuar e tëra me historinë e flamurit tonë.”- Kryemadhi sot gjatë një takimi me strukturat në Vlorë.
Kryetarja e LSI-së tha se Rama duhet të kuptojë se Shqipëria dhe Kosova janë një.