Në vendet fqinje vijon të rritet numri i njerëzve të prekur nga koronavirusi i ri, ndërsa në Shqipëri fatmirësisht ende nuk ka asnjë rast.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se mëngjesin e sotëm janë testuar 3 raste të reja të dyshuara, të cilat kanë rezultuar negative.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se mëngjesin e sotëm ka përfunduar testimi i tre rasteve të reja të dyshuara në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, me histori udhëtimi me vendet e prekura nga koronavirusi COVID-19, të cilat kanë rezultuar NEGATIVE.”- thuhet në njoftim.
Deri më tani në total janë testuar 26 raste te dyshuara. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi dje se ka rialokuar një fond shtesë prej 1 milion dollarë vetëm për shtimin e stokut të mjeteve të mbrojtjes personale në strukturat shëndetësore.
Po ashtu ministrja Manastirliu tha se dje nisi dhe shpërndarja e 1.2 milion maskave shtesë në spitalet e vendit, përpos stokut që strukturat shëndetësore kanë.