Policia franceze u detyrua të evakuojë stacionin hekurudhor Gare de Lyon në Paris pasi zona u përfshi nga një zjarr i madh në përpjekje për të prishur koncertin e këngëtarit Fally Ipupa, yllit kongolian të muzikës rap.
BBC shkruan se kundërshtarët politikë të qeverisë DR Kongo i vunë zjarr skuterëve të parkuar, motoçikletave dhe koshave të mbeturinave, madje penguan dhe zjarrfikësit që të shuanin flakët.
Protestuesit e akuzojnë këngëtarin Fally Ipupa se është shumë afër qeverisë Kongos. Policia kishte ndaluar më parë protestat kundër koncertit, duke përmendur një “kontekst të tensionuar politik”.
Victoria Williams nga Britania e Madhe ndodhej në Gare de Lyon në kohën e protestës.
“Protestuesit po hidhnin gjithçka që mundnin drejt policisë dhe zjarrfikësve, të cilët po përpiqeshin të bënin punën e tyre. Ata thjesht po i vinin zjarrin çdo gjëje që mundnin dhe luftonin me njëri-tjetrin.”- tha ajo.
Policia i përshkroi përpjekjet për të parandaluar zjarrfikësit të arrinin në vendin e ngjarjes si “sjellje skandaloze”.
Comportement scandaleux des manifestants qui empêchent les @PompiersParis d’accéder à l’incendie. https://t.co/zMYNv04Ykt
— Préfecture de Police (@prefpolice) February 28, 2020
Një protestues tha se ata ishin përpjekur të bllokojnë njerëzit të marrin pjesë. Ata thonë se Fally Ipupa është shumë afër Presidentit Felix Tshisekedi, i cili mori pushtetin një vit më parë.
Anëtarët e diasporës kongoleze kishin ardhur në Paris nga qytete të tjera evropiane, përfshirë Londrën, Brukselin dhe Vjenën, për të provuar të prishin koncertin e artistit.
Edhe në të kaluarën, një nga koncertet e Fally Ipupa-s në Paris, u anulua për shkak të protestave dhe për këtë arsye ai nuk kishte performuar në territorin francez për rreth një dekadë.