Vendosni fjalën kyçe....

PD për arrestimin e Çilit: Pse po fshihet emri i drejtuesit të lartë të drejtësisë, cili është Dvorani apo Sadushi


Partia Demokratike ka reaguar lidhur me arrestimin e botuesit Henri Çili, duke akuzuar Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit se po përdorin standarde të dyfshita, duke hequr nga dosja e hetimit emrin e një zyrtari të lartë që është takuar me botuesin e njohur.

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata, tha në një deklaratë për shtyp se në të njëjtën dosje hetimore ku është përfshirë Çili po fshihet emri i një drejtuesi të lartë që premtoi favore të paligjshme.

Sipas Gjatës, autoritetet kanë detyrimin të përgjigjen se kush është zyrtari i lartë i Drejtësisë. E ai vetë sugjeroi dy emra, Ardian Dvoranin dhe Sokol Sadushin.

DEKLARATA E GJATËS

Arrestimi i një grupi të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të ushtrimit të paligjshëm ndaj një zyrtari të lartë të drejtësisë ka nxjerrë edhe një herë në pah standardet e dyfishta të policisë dhe të drejtësisë në Shqipëri.

Në paradën e leximit të emrave dhe veprave penale të rreth 30 të ndaluarve, drejtori i përgjithshëm i policisë shmangu identifikimin e zyrtarit të lartë të drejtësisë, i cili, sipas prokurorisë, ka premtuar favore për gjykimin e dosjes në Gjykatën e Lartë.

Emri i këtij zyrtari nuk përmendet as në materialet e përgatitura nga prokuroria. Mes të tjerash, thuhet se një drejtues i një organi të lartë të drejtësisë ka premtuar shqyrtimin tek 50 çështjet e para të dosjes, për të cilën prokuroria thotë së është ndërhyrë në mënyrë të paligjshme.  Emri i atij që në dokumenta identifikohet si drejtues i një organi të lartë të drejtësisë mbetet mister.

Policia dhe prokuroria kanë detyrimin të informojnë opinionin publik:

Kush është zyrtari i lartë i sistemit të drejtësisë i përfshirë në këtë dosje?

Pse po mbahet i fshehtë emri i tij?

Pse u kryen ndalimet përpara se drejtuesi i organit të lartë të drejtësisë të kryente takimin e radhës në mars, siç thuhet në dosje?

Aktualisht, në sistemin e drejtësisë janë vetëm dy persona që kanë lidhje me Gjykatën e Lartë, ku do të shqyrtohet dosja për të cilën prokuroria pretendon se ka patur ndikim të paligjshëm.

Ata janë:

Ardian Dvorani, aktualisht i vetmi anëtar funksional i Gjykatës së Lartë, drejtues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Sokol Sadushi, kandidat pa rival për Gjykatën e Lartë, emërimi i të cilit pritet të ndodhë në mars. Sokol Sadushi, i cili udhëhoqi reformën në drejtësi si ekspert i lartë, është drejtor i Shkollës së Magjistraturës, një organ i lartë i sistemit të drejtësisë.

Sot është koha që policia dhe prokuroria të zbulojë identitetin e funksionarit të lartë të drejtësisë.

Drejtësia nuk mund të bëhet me disa standarde. Drejtësi është kur të gjithë, pavarësisht pozitës së tyre, lidhjeve dhe shërbimeve për kryeministrin, vihen përpara drejtësisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *