Vendosni fjalën kyçe....

Policia greke përplaset me migrantët në kufi me Turqinë


Policia greke ka përdorur gaz lotsjellës në drejtim të migrantëve të mbledhur në kufirin e saj me Turqinë të shtunën, pasi kjo e fundit hapi kufijtë për shtetasit sirianë.

Greqia, e cila ka marrëdhënie të tensionuara me Turqinë e cila ishte një portë kryesore për qindra mijëra azilkërkues në 2015 dhe 2016, përsërit se do t’i mbajë jashtë migrantët.

“Qeveria do të bëjë gjithçka që duhet për të mbrojtur kufijtë e saj”– u tha gazetarëve zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas, citon Reuters.

Ankaraja tha të enjten se nuk do të mbajë më qindra mijëra azilkërkues, pasi një sulm ajror në Idlib i mori jetën 33 ushtarëve turq.

Pothuajse menjëherë, kolona njerëzish u shfaqën duke shkuar drejt kufijve grekë tokësorë dhe detarë.

“Kjo nuk ka asnjë lidhje me Idlib”- tha Petsas, duke shtuar se në 24 orët e kaluara autoritetet greke kishin parandaluar përpjekjet e 4,000 njerëzve për të kaluar kufirin.

Mediat greke transmetuan video live nga pala turke në Kastanesh ku policia greke shihej në një përleshje me grupe migrantësh të cilët qëllonin me gurë dhe bërtisnin në errësirë.

Një dëshmitar i Reuters tha se kishte rreth 500 njerëz në anën greke në zonën kufitare, dhe përtej në anën turke qindra të tjerë.

Gjatë natës, demonstruesit hodhën copa druri të ndezura drejt policisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *