Socialistët po zhvillojnë Kongresin e tyre në një kohë kur shumica e qytetarëve janë nën frikën e shfaqjes së Covid 19, veçanërisht kur Shqipëria ka mbetur si një ishull, fatmirësisht ende pa raste zyrtare apo të deklaruara me koronavirus.
Një kongres rutinë, pavarësisht disa ndryshimeve që do të miratohen në statusin e kësaj partie, pavarësisht se nuk prekin dhe as kufizojnë kompetencat e Edi Ramës si kryetar i PS. Dita e parë e kongresit i kushtohej grave.
Në podium u shfaq Linda Rama, pa një kontribut në PS, përveç faktit se është bashkëshortja e Edit. Shumë mirë mund të shfaqeshin shumë nga ato gratë socialiste që ndodhen në atë parti prej mbi 30 vjetësh, madje mund të kenë ende edhe teseren e PPSH.
Por jo, Rama kishte zgjedhur Lindën, që nuk nguroi të fliste jo si një socialiste, jo thjesht si bashkëshortja e Kryeministrit, por si një kryetare e ardhshme e PS.
Linda foli edhe si Kryebashkiake, edhe si ministre e Kulturës, madje edhe si ministre e Rindërtimit me projektet që shpalosi nga ndërtimet e Teatrit, kopshtit zoologjik, Teatrit të Kukullave etj.
Linda foli njëlloj si në ato kongreset para 1990, duke i kujtuar shumë kujt herë Shoqen Nexhmije, herë Viton, herë shoqen Lenka apo Themien.
Mesazhet që dha ishin se ajo qëndronte paskuintave, ishte me pak fjalë një Kryetare, Kryeministre, Kryebashkiake apo ministre në hije. Kjo u përforcua edhe më shumë nga Edi Rama që foli pas saj.
Mes batutave, Rama tha se diskutonte e debatonte me Lindën në atë që e quajti “parlamentin” e shtëpisë. Linda nuk e linte rehat, i prishte qetësinë, madje edhe më shumë se të gjithë socialistët bashkë.
Fjalimi i Lindës dhe batutat e Ramës, duartrokitjet në sallë dhe të qeshurat, me siguri i kanë prishur qetësinë Kryebashkiakut të Tiranës.
Lali Eri prej kohësh është vetëpërgatitur si pasardhësi politik i Ramës. Madje ka përgatitur edhe ata që mund të quhen grupimi apo klani i tij në PS.
Pasi “eliminoi” politikisht Saimir Tahirin, rivalun e tij më të fortë në PS pas zgjedhjeve të 2013, Lali shihej pa diskutim si pasardhësi i Ramës.
Por fjalimi i djeshëm i Lindës dhe batutat e Ramës, fakti se bashkëshortja e Kryeministrit fliste mbi projekte konkrete, ato për të cilat mund të fliste fare mire edhe Lali, ndoshta e kanë lënë një natë pa gjumë. Por duket se Rama nuk e ka lënë me kaq dhe ka vijuar strategjinë se si t’a “torturojë” edhe më shumë.
Dhe sot në podium u shfaq Arben Ahmetaj që i përçoi Lalit porositë e Ramës. Madje i tha se ai s’mund të mos ia jepte ato porosi, duke i kujtuar faktin se Rama rrinte pa gjumë, dhe të njëjtën gjë duhej të bëne edhe Lali. Nuk dihet pse Rama nuk ia përcolli vetë porositë Lalit.
Megjithëse mbajti një fjalim ku e nisi me A dhe e mbylli me Zh, nuk gjeti hapësirën që t’ia përcillte vetë dy fjalë Lali Erit, qoftë edhe si urdhëra, të ngjashme me ato të lyerjes së shkallëve. Rama nuk zgjodhi bie fjala Ruçin, as Taulant Ballën, as Erion Braçen, por pikerisht Ben Ahmetajn.
Dhe ky i fundit, që njihet në PS edhe për batutat apo “përcjellje mesazhesh” përgjithësisht për të vënë në lojë apo siklet të piketuarin, ndoshta nuk e ka qetësuar Lalin, por i ka shtuar dozat e pasigurisë.
Nuk është larg koha, kur një parti ish-aleate e PS, LSI që u drejtua më dorë të hekurt nga Ilir Meta për 13 vjet, deri diku me një strategji të ngjashme me Ramën në krye të PS, pasi u zgjodh President nuk duroi më shumë se dy muaj Petrit Vasilin në krye të partisë së tij, dhe vendosi Monika Kryemadhin.
Ndoshta kësaj i druhet edhe Veliaj, pasi Rama duket se ende nuk e ka ndarë mendjen se kush do jetë pasardhësi politik i tij, Linda apo Erioni. Deri atëherë Lali Eri ose duhet të presë në ankth ose duhet të mësojë skemën sesi Rama në 2005 kur ishte Kryebashkiak, brenda natës bindi Gramozin për t’u bërë Kryetar.
Sot Lali mund t’a ketë pak më të vështirë, pasi ndoshta si mjafton vetëm Gramozi, por mund t’i duhet edhe Taulanti, Vangjushi apo edhe Ulsiu.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Boldnews