Italia do të marrë masa të reja për luftën kundër përhapjes së koronavirusit, përfshirë ndarjen e 3.6 miliardë eurove si ndihmë për sektorin e ekonomisë, që po i vuan pasojat e krizës shëndetësore. Lajmin e bëri të ditur ministri i ekonomisë, Roberto Gualtieri.
Gjatë një interviste për gazetën “La Repubblica”, Gualtieri tha që ka besim se Bashkimi Evropian do ta miratojë rritjen e nevojshme të deficitit zyrtar të Italisë, duke shtuar se grupi i ministrave evropianë do të bisedojë mes vete përmes telefonit rreth situatës.
Italia është duke u përballur me përhapjen më të madhe të koronavirusit në Evropë. Në këtë shtet tashmë janë konfirmuar më shumë se 1 mijë e 100 raste të konfirmuara që nga 20 shkurti. Për më tepër, së paku 29 persona kanë vdekur.
Rajonet më të prekura janë Lombardia dhe Veneto. Në Lombardi gjendet edhe qyteti i famshëm i Milanos, shkruan “Reuters”.
Për shkak të përhapjes, shumë ngjarje dhe tubime janë anuluar, përfshirë ndeshjet e futbollit në ligën kryesore të Italisë, Serie A.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka dërguar një ekip të ekspertëve në Itali për ta vlerësuar më mirë gjendjen.