Vendosni fjalën kyçe....

“Taksa të hiqet se e kërkon SHBA-ja dhe se është kundër interesit të Kosovës” – Mustafa


Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Mustafa, ka deklaruar sot se është për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.

Në një status të gjatë në Facebook, ai thekson se ka qenë që në fillim kundër vendosjes së saj nga ish-kryeministri Haradinaj, pasi sipas tij ishte vënë për t’u mbrojtur nga dështimet  në politikën e jashtme.

‘Që nga fillimi jam shprehur haptas, ndoshta ndër të vetmit, se tarifa së pari 10 përqind e pastaj 100 përqind, e caktuar nga Qeveria Haradinaj, nuk kishte arsyetim ekonomik por ishte vënë për tu mbrojtur nga dështimet, sidomos në politikën e jashtme. Presidenti i Serbisë, Vuçiq, i dha tarifës dimension të kushtëzimit të dialogut. Prandaj kur doli në pah mundësia e pazareve me territorin ndërmjet dy presidentëve, atij të Serbise dhe të Kosovës, tarifa rrëshqiti në levën e pengimit të këtij dialogu të dëmshëm. Atëherë e kam përkrahur ish Kryeministrin Haradinaj për vazhdimin e tarifës.’ – shkruan Mustafa.

Më tej, kreu i LDK-së thotë se taksa po i shërben Serbisë për t’u viktimizuar në arenën ndërkombëtare ndërsa taksa sipas tij nuk do e detyrojë asnjëherë Beogradin që ta njohë Prishtinën.

‘Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar të Komisionit Evropian dhe sidomos pas angazhimit shumë aktiv të SHBA-ve me përfaqësuesin special të Presidentit Trump, ambasadorin Grenell, tarifa objejtivisht mbetet vetëm si relikt, i cili po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqendrueshme politike. Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës. Por, shumicës dërmuese iu mbushet mendja se SHBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës.

Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do ti japë përkrahje Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti të hiqet tarifa.’ – shton Mustafa.

Në fund ai thekson se taksa duhet të hiqet siç e kërkon edhe SHBA-ja dhe jo vetëm për këtë arsye por sepse është në interes të Kosovës.

Ndërsa shton se nëse Serbia nuk e ndal fushatën ndaj Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare e ekonomike, atëherë LDK-ja do mbështesë masat e reciprocitetit.

‘Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të. Nuk jam i sigurt që dikush nga grupet parlamentare ose deputetët e Kuvendit apo qeveritarët ta kenë gjetur një partner më të fortë, më meritor dhe më të përkushtuar sesa SHBA-të për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. E as një rrugë më me perspektivë se ajo e integrimit evropian dhe euroatlantik. Nëse dikush luhatet, LDK, deputetët e saj dhe anëtarët e Qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës. Në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, LDK mbetet e përkushtuar për aplikimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që Qeveria e akordon me SHBA-të dhe BE-në. IM’ – mbyll reagimin Mustafa.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *