Vendosni fjalën kyçe....

I vendosin Albin Kurtit arkivol para zyrës, arrestohen aktivistë të AAK-së


Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i është vendosur një arkivol para zyrës së qeverisë. Sipas mediave në Kosovë, kjo ka ndodhur para nisjes së seancës plenare në Kuvendin e Kosovës, të thirrur nga AAK-ja ku do të diskutohet për taksën 100% të vendosur ndaj mallrave serbe.

Para objektit të Qeverisë së Kosovës, Kurtit i është vendosur një arkivol që simbolizon “varrosjen e premtimeve” të tij.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, tha se aktivistët e rinj të kësaj partie janë arrestuar për shkak të vendosjes së arkivolit para godinës.

“Shpreh keqardhje për arrestimin e të rinjve të AAK-së, vetëm pse po kryenin një aktivitet para Kuvendit”, ka thënë Haxhiu në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili e konsideroi veprimin e aktivistëve të partisë së tij si një gjest simbolik.

Haradinaj thotë se duke u arrestuar aktivistët, kryeministri Albin Kurti po dëshmon shkeljen flagrante të parimeve të tij të dikurshme.

“Dënoj ashpër aktin e arrestimit të aktivistëve të Aleancës së të Rinjëve të AAK-së, Naim Ramizi, Musa Lekaj, dhe Edonis Kamberi, të cilët ishin duke realizuar një aksion simbolik kundër heqjes së taksës, para objektit të Qeverisë. Trajtimi policor i qytetarëve të ndershëm, vetëm pse ia kujtojnë Kryeministrit Kurti shkeljen flagrante të parimeve të dikurshme, është kundër frymës së Kushtetutës së Kosovës, dhe ligjeve në fuqi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Më tej ai u bëri thirrje autoriteteve që të lirojnë menjëherë aktivistët.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *