Pavarësisht nisjes së mbarë të garës, Pete Buttigieg është tërhequr nga gara për të fituar kandidimin e demokratëve për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në nëntor të këtij viti në Shtetet e Bashkuara.
Ish-kryebashkiaku i një qyteti të vogël të Indianas e dha vendimin gjatë një eventi në qytetin e tij të Bendit të Jugut.
“Në këtë pikë të garës, mënyra më e mirë për të besuar në qëllim edhe ideale, është që të largohem dhe të ndihmoj në bashkimin e partisë dhe shtetit tonë. Prandaj, sonte, po e marr vendimin e vështirë për ta pezulluar fushatën time për president”– u tha Buttigieg mbështetësve të tij në Indiana, citon CNN.
Kandidimi i Buttigieg ishte historik. Ai është homoseksuali i parë që kandidoi për president. Në fillim të garës së demokratëve, ai dhe Bernie Sanders kryesonin në votime e sondazhe, mirëpo ai është renditur i katërti në në Karolinën Jugore me vetëm 8.2 për qind të votave.
Ai ka gjetur vetëm pak mbështetje në mesin e votuesve me ngjyrë, një nga pikat kryesore të mbështetjes që gëzojnë demokratët.
Sondazhet tregojnë që largimi i tij nga gara mund t’iu ndihmojë kandidatëve tjerë që garojnë për president, Joe Biden dhe Mike Bloomberg.
Buttigieg ka paralajmëruar që nëse kandidati Bernie Sanders fiton nominimin e demokratëve, i bie që presidenti aktual amerikan, Donald Trump do të qëndrojë edhe katër vjet në pushtet.
Por, ai vetë nuk ka treguar se kë mbështet. Me largimin e Buttigieg, numri i kandidatëve demokratë që garojnë për nominim për president tani ka rënë në gjashtë. Ata janë Joe Biden, Bernie Sanders, Mike Bloomberg, Elizabeth Warren, Amy Klobuchar, dhe Tulsi Gabbard.