Shtatë persona janë proceduar penalisht nga policia e Tiranës, pasi akuzohen për ushtrim pa licencë të veprimtarive financiare.
Në dy operacione “Për goditjen e aktiviteteve të paligjshme në zonën pranë Bankës së Shqipërisë“, policia thotë se ka sekuestruar 21 milionë lekë, 23300 euro dhe 9500 dollarë.
Personat e proceduar penalisht, të cilëve iu sekuestruia dhe shuma e parave, dyshohen se ushtronin veprimtari financiare të këmbimit valutor pa licencë. Dhe këtë e bënin në zonën përballë Bankës së Shqipërisë.
DETAJET E POLICISË
Nga ana e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në zbatim të planit të masave “Për goditjen e aktiviteteve të Paligjshme në zonën pranë Bankës së Shqipërisë“, janë organizuar shërbime të herëpashershme, së bashku me shërbimet e Komisariatit Nr. 3 dhe Forcës së Posaçme “Shqiponjat”.
Si rezultat i kontrolleve të befasishme janë realizuar dy goditje të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, duke proceduar penalisht 7 shtetas, konkretisht: M. H, Sh. Sh, L. J, R. F, A. Z, A. M. dhe Y. M.
Këta shtetas, në mënyrë të kundërligjshme, në zonën përballë Bankës së Shqipërisë, ushtronin veprimtari financiare të këmbimit valutor pa licencë.
Gjatë dy operacioneve janë sekuestruar në total 21 milionë lekë, 23300 euro dhe 9500 dollarë.
Kontrollet e befasishme dhe operacionet policore, për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të çdo personi qe merret me aktivitet të kundërligjshëm, kryesisht në këmbimin valutor pa licencë ose jashtë objekteve të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë apo Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”.