Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni Europian rekomandon për të katërtën herë çeljen e negociatave


Komisioni Europian ka publikuar sot raportin ku jep edhe njëherë tjetër rekomandimin për hapjen e negociatave për vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut.

 “Në kuadër të arritjes së një progresi domethënës dhe përmbushjes së kushteve të përcaktuara në mënyrë unanime nga Këshilli Evropian në Qershor 2018, Komisioni Evropian rekomandoi në paketën e tij të zgjerimit 2019 që Këshilli të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë.

Në përgjithësi, Shqipëria ka rritur përpjekjet e saj dhe ka dhënë rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara në Konkluzionet e Këshillit në Qershor 2018. Si rrjedhojë, bazat e rekomandimit të Komisionit për vitin 2019 për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë mbeten të vlefshme.”- thuhet në konluzionet e Raportit.

Mirëpo kjo nuk është hera e parë që KE jep këtë qëndrim lidhur me negociatat, në fakt kjo është e katërta herë. E njëjta gjë ndodhi edhe vitin e kaluar, kur Komisioni Europian dha rekomandimin, por disa muaj më pas, Këshilli i Europës vendosi për shtyrjen e negociatave. Kjo sepse disa shtete me në krye Francën ishin kritike ndaj Shqipërisë.

Vendimi i fundit për hapjen e negociatave merret nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së përmes një samiti të rregullt. Rekomandimi i KE-së mund të bjerë përsëri nëse vendet anëtare vendosin për “JO”.

Megjithatë duhet të kujtojmë se muajin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron tha gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih se Franca do të mbështesë anëtarësimin për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në Bashkimin Evropian nëse dy vendet marrin vlerësim pozitiv në mars.

‘Ne jemi në pritje të raportit të Komisioni Evropian në Mars…në varësi të kësaj, nëse rezultatet janë pozitive dhe vendoset besimi, atëherë ne duhet të jemi në gjendje të hapim negociatat’, janë fjalët e Macron./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *