Vendosni fjalën kyçe....

Manifestimi i thirrur nga presidenti, çfarë masash po merr policia


Sot mbahet manifestimi për mbrojtjen e Kushtetutës dhe kundër grushtit të shtetit të thirrur nga presidenti Ilir Meta. Mësohet se policia i ka dhënë leje presidentit që të zhvillojë tubimin në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ pasditen e sotme për 2 orë, nga 17:00 deri në 19:00.

Sipas gazetës Shqiptarja.com, pse kreu i shtetit i kërkoi drejtuesve të policisë sa më pak efektivë, pasi do t’i mbrojnë vetë institucionet me aktivistë, policia ka marrë një sërë masash.

Rreth një mijë efektivë nga rrethet, por edhe FNSH-së e RENEA-s do të vendosen për mbarëvajtjen e tubimit dhe shmangien e incidenteve.

Shpërndarja e uniformave blu pritet të jetë e ngjashme me protestat e mëparshme. Përballë protestuesve do te krijohet një kordon që do të jetë përgjatë perimetrit te kryeministrisë. Kordoni do të jetë me policët e rendit ( mes tyre dhe femra) dhe ata shqiponja, ndërsa forcat e FNSH do të jenë në gatishmëri në pjesën e pasme. Në gatishmëri pranë godinës së Kryeministrisë do të jenë edhe Garda e Republikës.

Siç parashikon ligji për tubimet ne gatishmëri do të jenë dhe zjarrfikëset dhe ambulancat. Kufizime për qarkullimin rrugor do të ketë në bulevardin “Dëshmorët e kombit” dhe në rrugët lidhëse me të. Autobuzët nuk do të lejohen të futen në qytet. Ata që vijnë nga pjesa veriore do të parkohen tek stadiumi “Asllan Rusi”, ndërsa nga ana veriore tek Fakulteti Ekonomik.

Kontrollet për hyrjet në pikat kufitare kanë nisur që mbrëmjen e djeshme, ndërsa pak orë para tubimit do të nisë edhe kufizimi i qarkullimit në makinave në bulevard.

Sipas BalkanWeb, për shkak të paralajmërimit të tubimit presidencial gjatë ditës së sotme, në të gjitha akset rrugore kryesore që përshkojnë Qarkun e Elbasanit janë ngritur postblloqe policie.

Në kryqëzime ka kontroll të dokumentacionit të automjeteve dhe verifikim të shtetasve.  Po kontrollohen edhe bagazhet e udhëtarëve për armë dhe lëndë narkotike.

Rreth Rrotullimi i Bradasheshit është një nga pikat më të rëndësishme të kontrollit ku policia “skanon” të gjithë shtetasit që udhëtojnë drejt Tiranës nga Juglindja e vendit dhe nga një pjesë e Shqipërisë së Mesme.

Ambasada Amerikane në Tiranë u ka kërkuar shtetasve të saj të qëndrojnë larg tubimit duke kujtuar se demostratat e mëparshme kanë qenë të dhunshme. Por Presidenca iu përgjigj se s’do kishte dhunë dhe se qindra shqiptaro-amerikanë pritet të mbërrijnë në Tiranë për protestën.

Lidhur me frikën se mund të ketë dhunë në manifestimin e 2 marsit, zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi e ka këshilluar kryeministrin Edi Rama që të mos mobilizojë policinë kot por t’i dërgojë të luftojnë trafikun e drogës. Sipas presidencës qëllimi i këtij manifesti është gjithëpërfshirja dhe ka theksuar se vetëm flamujt kuqezi dhe mimozat janë të mirëpritur në Bulevard. 

Ky manifestim vjen pas përplasjeve mes Presidencës dhe maxhorancës lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Meta ka dorëzuar në prokurori një padi ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Dvorani, të cilin e akuzon se po luan rol në përpjekjet e shumicës për kapjen e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu ka kallëzuar në SPAK dhe ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, dhe 2 zyrtarë të tjerë për shkelje të Kushtetutës gjatë zgjedhjes së një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese (GJK)./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *