Numri i njerëzve që kanë humbur jetën nga koronavirusi në të gjithë botën e ka tejkaluar 3.000-tën, pasi Kina ka raportuar 42 vdekje të tjera.
Më shumë se 90% e viktimave janë në Hubei, provinca në Kinë ku virusi u shfaq në fund të vitit të kaluar.
Por ka pasur vdekje edhe në 10 vende të tjera, më shumë se 50 në Iran dhe më shumë se 30 në Itali.
BBC shkruan se në të gjithë botën, ka pasur gati 90,000 raste të konfirmuara me koronavirus, me numrat jashtë Kinës që po rriten më shpejt se brenda Kinës.
Por Organizata Botërore e Shëndetit thotë se shumica e pacientëve kanë vetëm simptoma të buta dhe shkalla e vdekjes duket të jetë midis 2% dhe 5%.
Për krahasim, gripi sezonal ka një normë vdekshmërie mesatare prej rreth 0,1%, por është shumë infektiv me deri në 400,000 njerëz që vdesin prej tij çdo vit.
Në zonën e nxehtë të Italisë, numri i infeksioneve u dyfishua në 48 orë. Ka pasur të paktën 34 vdekje dhe 1,694 raste të konfirmuara. Kompania “Amazon” tha se dy nga punonjësit e saj në Itali janë prekur dhe ndodhen nën karantinë.