Pas lajmeve se Agim Kajmaku shëtit i lirë nëpër kryeqytet ndërkohë që është në kërkim nga policia, drejtori i policisë së Tiranës, Rebani Jaupi, i është drejtuar komisariateve me një mesazh.
Sipas gazetares Klodiana Lala Jaupi i ka kërkuar komisariateve që të merren masa për kapjen e Kajmakut dhe e ka konsideruar të turpshme faktin që ai lëviz i lirë nëpër tiranë e nuk kapet.
“Të merren masa nga gjithë Komisariatet për kapjen e tij. Komisariati Vorë të japë lidhjet e tija në qytetin e Tiranës. Është person publik dhe mund të merret informacionet nga strukturat në varësi. Është e turpshme nëse vjen dhe shëtit në Tiranë dhe nuk kapet.”, thuhet në mesazhin e Jubanit, sipas “BalkanWeb”.
Kujtojmë se një ditë më parë, Exit publikoi një foto dhe shkruante se Kajmaku bredh i lirë në kryeqytet edhe pse Prokuroria ka firmosur një urdhër-arresti për të që më 11 nëntor të vitit të kaluar.
Kajmaku u denoncua fillimisht nga PD se kishte fshehur arrestimin në Greqi për falsifikim parash por nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.
Pasi KQZ e shkarkoi, Kajmaku vijoi të bëjë kryebashkiakun duke firmosur shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë Vorë, Laureta Omerni dhe Hekuran Brahimajn dhe duke zgjedhur Gent Picarin në këtë post. Ky i fundit u shkarkua më vonë.
Ish- kryebashkiaku i Vorës akuzohet për 3 vepra penale ”Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, “Falsifikim i dokumentave” dhe ”Kryerja e funksionit pas dhënies fund të detyrës”.