Kryeredaktori i faqes web të Radio Televizionit të Kosovës, Altin Ahmeti është rrahur brutalisht nga pesë persona në një lokal të Prishtinës.
Siç shkruan vetë RTK, incidenti ka ndodhur në lokalin “Friends Aveny” të kryeqytetit të Kosovës në orët e mbrëmjes.
Edhe pse ende nuk dihen rrethanat e as shkaqet se pse ka ndodhur një sulm i tillë, raportohet se kanë qenë pesë persona që kanë hyrë në këtë lokal dhe e kanë rrahur kryeredaktorin.
Vetë Ahmeti dyshon tek një person, zyrtarin e Telekomit të Kosovës, Gëzim Makolli.
“Pesë vetë më sulmuan dhe dolën duke më kërcënuar se do të më vrasin. Personi në fjalë është Gëzim Makolli. E ftova policinë dhe prokurorinë. Nuk i di arsyet e sulmit”, ka thënë Ahmeti.
Policia dhe prokuroria janë në dijeni të ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin. Lidhur me ngjarjen ka reaguar dhe menaxhmenti i RTK-së.
“Sulmi ndaj gazetarëve është sulm ndaj lirisë së Kosovës. Kërkojmë nga organet e rendit që të zbardhin sa më shpejt rrethanat e këtij rasti dhe personat përgjegjës të dalin para drejtësisë”, thuhet në reagimin e RTK-së.
Sulmin fizik e ka dënuar sindikata e këtij institucioni media.
“Sindikata e Pavarur e RTK-së dënon ashpër aktin e dhunës ndaj kryeredaktorit të ueb-faqes së RTK-së, Altin Ahmeti i cili është sulmuar mbrëmë nga disa persona në një lokal të Prishtinës. Sindikata kërkon nga organet e drejtësisë që të marrin të gjitha masat ligjore në mënyrë që kryesit e këtij akti të shëmtuar të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e kryetarit të kësaj sindikate, Fadil Hoxha.
Vetë RTK ka publikuar edhe disa foto të Ahmetit, i cili shihet me shenja në fytyrë.