Detaje të reja janë zbuluar nga atentati me armë që la të vdekur dy persona mbrëmjen e kaluar në Durrës.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:55, në lagjen nr. 14, në afërsi të tregut të fruta-perimeve në Shkozet. Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia dyshohet se janë qëlluar me breshëri automatiku.
Gazeta Panorama shkruan se 32-vjeçari Dorjan Shkoza dhe 24-vjeçari Anxhelo Avdia po qëndronin së bashku në trotuar duke konsumuar cigare, në kohën kur janë qëlluar me automatik.
Dyshohet se të shtënat kanë ardhur nga një automjet tip “Mercedes”, i cili u gjet i djegur në hyrje të qytetit të Rrogozhinës.
Shkoza është qëlluar me më shumë se 4 plumba në pjesën e kokës, duke ndërruar jetë në vend. Ndërsa 24-vjeçari u transportua në spital, por ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur.
Policia e qytetit bregdetar ka bërë të mundur shoqërimin e disa personave, të cilët janë marrë në pyetje për vrasjen e dyfishtë.
Si fillim hetimet janë fokusuar në trafikun e lëndëve narkotike dhe te biznesi privat që kishte 35-vjeçari Dorjan Shkoza.
Babai i dy fëmijëve, disa vite më parë kishte qenë i dënuar me burg për trafik të lëndëve narkotike. Por nuk përjashtohet mundësia e ndonjë konflikti lidhur me biznesin e tij, një servis që shërben për lyerjen e makinave në Rrashbull të Shkozetit.