Qeveria italiane ka përditësuar numrin e vdekjeve në vend nga koronavirusi dhe vendosi të mbyllë shkollat, universitetet dhe institucionet akademike në të gjithë vendin për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.
Ministrja e Arsimit, Lucia Azzolina, konfirmoi se shkollat në të gjithë vendin do të qëndrojnë të mbyllura nga e enjtja 5 mars deri më 15 mars, si një masë paraprake për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së infeksionit.
Ndërkohë, kryeministri Giuseppe Conte ka paralajmëruar se sistemi shëndetësor i vendit rrezikon të mposhtet nga shpërthimi i koronavirusit.
Numri i vdekjeve në Itali nga koronavirusi ka shkuar në 107, ndërsa numri i personave të infektuar ka shkuar në 3,090, duke u rritur me më shumë se 500 raste brenda një dite. Italia tani është vendi më i goditur nga koronavirusi pas Kinës.